Nga Prokuroria kanë thënë se kanë nisur hetimet rreth tentim sulmit të Rrahman Jasharajt.
Paraditën e sotme, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, një qytetar tentoi ta sulmojë kryesindikalistin e arsimit Rrahman Jasharajn.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë se është nisur rast për kanosje.
“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosja”, si dhe janë autorizuar policia për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjën e Prokurorisë.
Jasharaj tha sot pas incidentit se ka pasur tentim të sulmit ndaj tij “nga një prind”. Ai tha se mund të sulmohet edhe në rrugë.
“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë”, deklaroi Jasharaj pas incidentit.
Pas tentim sulmit ndaj tij, ka pasur reagime, duke thënë se linçimet nga pushteti dhe njerëz të afërt me partinë në pushtet, mund të shtyjnë në sulme ndaj kryesindikalistit.
Greva e arsimtarëve po vazhdon, e bashkë me të lufta Qeveri – sindikata. Kryeministri Albin Kurti po kërkon përfundimin e grevës, pa i plotësuar kërkesat e sindikatave, udhëheqësi i të cilave thotë se Kurti s’po pranon të dialogojë me to.