​Osmani nderon Don Lush Gjergjin me medaljen për humanizëm “Nënë Tereza”

Aktuale

​Osmani nderon Don Lush Gjergjin me medaljen për humanizëm “Nënë Tereza”

Më: 5 shtator 2022 Në ora: 15:40
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot disa prej personaliteteve në vend me medaljen për humanizëm “Nënë Tereza”, në 25-vjetorin e shkuarjes në amshim të humanistes së madhe shqiptare Gonxhe Bojaxhiu.

E para e shtetit me këtë rast tha se dekorimi i këtyre personaliteteve bëhet në shenjë nderimi për kontributin e madh që ata të dhënë në periudha të ndryshme të historisë sonë kombëtare.

“Po fillojmë sot për të vazhduar në pjesën tjetër të vitit për të nderuar ata që nuk kursyen asgjë nga vetja për t’u ndihmuar të tjerëve. Kanë kontribuar në periudha të ndryshme të historisë sonë, në ruajtjen e vlerave tona. Personalitetet janë duke filluar nga Don Lush Gjergji që tërë jetën ia kushtoi njerëzve të këtij vendi. Sadie Llalloshi, infermiere që profesionin ia kushtoi ruajtjes së shëndetit të popullit. Motrat e Nënë Terezës, të cilat u ofrojnë ndihmë më të varfërve, atyre që Nënë Tereza i deshi më së shumti”, tha Osmani.

Ndër personalitetet e dekoruara nga e para e vendit janë edhe Nik Prelaj post mortum, ku medalja iu dorëzua familjarëve të tij.

Me medalje u dekorua edhe kardinali i vetëm shqiptar Ernest Simoni dhe Visar Zhuti, poet i shquar i letrave shqipe.

Osmani tha se shënimi i gjashtë vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës është mundësi edhe për ta kthyer vëmendjen te shpirti human.

“Shënimi i gjashtë vjetorit të shenjtërimit është mundësi për ta kujtuar jetën e saj prej humanisteje, por edhe për ta kthyer vëmendjen nga shpirti ynë human”, tha Osmani.

Ndërsa Don Lush Gjergji në emër të personaliteteve të dekoruara, falënderoi presidenten për këtë nderim.

“Kur zemra është plot, goja është e zbrazët. Megjithatë e kemi një fjalë që është e rëndomtë, por e ka kuptimin e jashtëzakonshëm, e kjo është faleminderit. Kush nuk di të falënderojë, nuk di as të jetojë. Falënderojmë presidenten tonë për nderimin e personaliteteve”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat