Ish- anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni i ka reaguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut për deklaratën e tij, se Skender Hyseni e Agim Veliu e ka sjellë LDK-në në nivel të AAK-së.
Hyseni ka thënë se nëse Abdixhiku e ka bërë këtë konstatim, kjo tregon një gjendje stresuese të tij.
“Ta cilësosh Skender Hysenin si njeriun që e ka sjellë LDK-në në nivel të AAK-së, mua më erdhi keq nëse e ka thënë këtë për mua, sepse nuk ka të bëjë me mua por nëse e ka bërë këtë konstatim zoti Abdixhiku sepse kjo në të vërtetë për mua shpërfaqë një gjendje bukur stresuese të zotit Abdixhiku, njëfarë paranoje të çuditshme”, ka thënë ai.
Hyseni ka thënë se për të ardhur deri te një konstatim i tillë, duhet të bëhet një analizë shumë dimensionale e që sipas tij LDK-ja nuk e ka bërë.
“Njerëzit kanë të drejtë të flasin, nuk guxon ta konsiderosh sulm nëse njerëzit bëjnë kritika për fenomene të caktuara politike dhe kritikat ndaj këtyre fenomeneve t’i përkthesh në sulm personal kjo në të vërtetë të shpërfaqë një krizë tënden të brendshme dhe në këtë rast kjo më shumë ka shpërfaq një krizë të brendshme ndoshta të zotit Abdixhiku e çka e ka sjellë LDK-në në nivel të AAK-së e që prapë nuk është e vërtetë që e ka sjellë në nivel të AAK-së, duhet të bëhet një analizë shumë dimensionale, nuk jam në dijeni nëse LDK-ja e ka bërë një analizë të tillë”, shtoi Hyen i tutje.