Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, vjen sot për vizitë zyrtare në Kosovë. Në fakt, kjo është vizita e tij e dytë, brenda disa muajsh.
Ai në Prishtinë ishte edhe në maj të këtij viti, ku u prit me nderime të larta shtetërore.
Mediumi publik ka pyetur presidencën e Sllovenisë, për arsyen e këtij takimi, meqë brenda harkut kohor prej katër muajsh, presidenti slloven ishte për vizitë zyrtare në Kosovë dhe presidentja Vjosa Osmani ishte në Slloveni.
“Qëllimi i takimit/vizitës është përgatitja për takimin e liderëve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, i cili do të mbahet më 12 shtator në Slloveni”, thuhet në përgjigjen zyrtare për RTKlive, nga Presidenca e Sllovenisë.
Presidenca sllovene konfirmon se presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë vizitës në Kosovë, do të takohet me Presidentin e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti.
Interesimi i Sllovenisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor së fundmi është shtuar. Ky shtet ish -jugosllav, ka emëruar edhe një emisar special për këtë rajon.