Kosova dhe Sllovenia kanë shumë qëndrime të përbashkëta, por dallojnë në çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo u konfirmua gjatë vizitës së presidentit slloven Borut Pahor në Prishtinë dhe konferencës së përbashkët me homologen e tij, Vjosa Osmani.
Pahor erdhi në Prishtinë, ndoshta për herë të fundit në cilësinë e presidentit për shkak të përfundimit të mandatit, për të ftuar Osmanin në samitin e radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, deklaroi se pret që marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të implementohen, përfshirë edhe atë për Asociacionin.
Pahor: Pres implementimin e marrëveshjes për Asociacionin
“Kosova dhe Sllovenia kanë shumë qëndrime të përbashkëta e këndvështrime të njëjta në çështje me problematike në rajon dhe botë, por mes nesh, është dhe një dallim i rrallë e që është implementimi i marrëveshjeve të arritura. Edhe në Beograd kam thënë, edhe këtu herën e kaluar, e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit mes Beogradit dhe Prishtinës që të implementohen marrëveshjet e arritura. Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Pres që, pavarësisht se mbështes të drejtën ligjore, që të gjendet një zgjidhje për implementimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk e di nëse Vjosa do të na thotë për alternativë, por derisa nuk kemi alternativë, nuk ka një propozim, vlen ajo marrëveshje e arritur më përpara”, deklaroi Pahor.
Megjithatë, presidentja Osmani nxitoi të argumentonte se në marrëveshjen për Asociacionin, Gjykata Kushtetuese ka gjetur 23 shkelje dhe si e tillë bie ndesh me rendin kushtetues të vendit.
Osmani: Asociacioni bie ndesh me Kushtetutën
“Nga të gjitha ato dokument që janë nënshkruar, Kosova ka zbatuar 99% të obligimeve të saj dhe ekziston një që nuk e ka zbatuar e që është marrëveshja për Asociacionin, për një arsye shumë fondamentale, sepse ajo marrëveshje bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sepse Gjykata Kushtetuese ka gjetur 23 shkelje të kushtetutës sonë në atë marrëveshje ajo çka unë mund t'ju them si presidente e Kosovës është që ne do ta respektojmë dhe zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetutës, ne nuk mund të krijojmë entitete mono etnike përderisa bazamenti mbi të cilin është ndërtuar kushtetua jona është multietniteti”, tha Osmani.
Kryetarja e shtetit shtoi se nuk janë për zgjidhje që krijojnë segregacion por për integrim të të gjitha komuniteteve.
Osmani: Nuk mbështesim zgjidhje që krijojnë segregacion
“Ne nuk mund të shtyjmë përpara zgjidhje të shekullit të kaluar të cilat i ndajnë njerëzit, krijojnë segregacion, krijojnë mure, por qëllimi ynë është që të gjithë njerëzit të integrohen, të jetojnë bashkë, të realizohen të drejtat kushtetuese dhe ato të parapara në instrumente evropiane e ndërkombëtare sipas parimit të multietnicitetit”, vijoi Osmani.
Gjatë konferencës me presidenten Osmani, kreu i shtetit slloven ka përsëritur sërish mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën duke thënë se duhet të mbahen premtimet e dhëna ndaj Prishtinës.
Për këtë angazhim për liberalizim, Osmani e ka falënderuar homologun e saj dhe i ka kërkuar që të bëjë edhe një shtytje të fundit rreth kësaj çështjeje.
Osmani: Mirënjohje për angazhimin tuaj për liberalizim
“Gjersa po i afrohemi finalizimit të procesit të gjatë e të padrejtë të liberalizimit të vizave për Kosovën dua t’ju falënderoj për angazhimin tuaj dhe t’ju kërkoj edhe njëherë që të jepni një shtytje të fundit këtij procesi në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të vizitojnë vendin tuaj të bukur por edhe të gjithë Evropën njësoj sikurse edhe evropianët e tjerë”, tha Osmani.
Pahor është pyetur edhe për deklaratat e homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit ishte pyetur se përse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë, ndërsa ishte përgjigjur se “Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë ndërsa Sllovenia e ka shkelur dhe siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, duke nënkuptuar këtu njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Pahor këtë deklaratë e ka quajtur tendencioze dhe të papranueshme dhe tha se dihet që Sllovenia e Serbia kanë dallime sa i përket çështjes së Kosovës.
Pahor: Deklarata e Vuçiqit e papranueshme
“Unë të dy shteteve ju them se Sllovenia dhe Serbia sa i përket çështjes së Kosovës kanë qëndrime të ndryshme. Sllovenia e ka njohur Kosovën si shtet, ndërkaq Serbia nuk e njeh. Deklarata e presidentit Vuçiq ishte e papranueshme dhe tendencioze”, u shpreh Pahor.
Menjëherë pas kësaj deklarate të presidentit serb të bërë pas vizitës së Pahor në Bograd, Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë kishte ftuar ambasadoren serbe në Slloveni, Zorana Vlatkoviq, për të biseduar rreth këtyre deklaratave. Ministria e Jashtme sllovene ishte shprehur e “shumë e befasuar” nga deklaratat e Vuçiqit, duke përsëritur qëndrimin se Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran Republikën e Kosovës.