Kurti: Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar

Aktuale

Kurti: Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 13:54
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar veprimet e fundit të Serbisë për intonimin e himnit shtetëror edhe në shkollat shqiptare në Luginën e Preshevës.

Kreu i ekzekutivit tha se nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human.

“Sa më e dobët është Serbia ndaj Kosovës, aq më e ashpër po bëhet ajo, andaj edhe një lloj agresiviteti të shtuar të Serbisë duhet ta kuptojmë përbrenda dobësimit të saj në përgjithësi”, ka theksuar Kurti gjatë vizitës në Podujevë, kur u pyet për të komentuar vendimin e autoriteteve të Beogradit që himni shtetëror i Serbisë të intonohet edhe në shkollat shqiptare në Luginën e Preshevës.

Ai theksoi se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik që angazhohet për të gjithë qytetarët pa dallim, teksa ka thënë se Qeveria që e udhëheq ai angazhohet edhe për shqiptarët e Luginës.

“Ne angazhohemi edhe për shqiptarët në Serbi dhe ju e dini se shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë të diskriminuar dhe dëshmitarë për këtë është edhe delegacioni ynë që ishte atje. Kemi pasivizimin e adresave në Medvegjë, por për herë të parë është ndihmuar Lugina me buxhetin e këtij viti me 2 milionë euro”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Tutje, duke e cituar frazën e poetit të njohur shqiptar, Kurti, ka thënë se zullumi këputet prej së trashi.

“Siç e ka thënë poeti ynë i famshëm Esat Mekuli zullumi këputet prej së trashi, andaj edhe këtij zullumi të shtuar të Serbisë, madje edhe ndaj serbëve në Kosovë, është duke i ardhur fundi”, ka nënvizuar Kurti. 

Ndaj veprimit të fundit të autoriteteve serbe në Luginë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat