​Redaktimet nga prokuroria po i vështirësojnë hetimet e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

​Redaktimet nga prokuroria po i vështirësojnë hetimet e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve, avokatët mbrojtjes kanë përmendur mundësinë për njoftim për alibi por sipas tyre një gjë e tillë nuk mund të bëhet derisa ka redaktime të shumta në dokumente. Ata kanë kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të tregojë tabelën se kur do të hiqen redaktimet, ndërsa, nga kjo zyrë kanë thënë se do të përpiqen ta bëjnë atë deri në fund të muajit tetor.

Avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se aktakuza ka tejet redaktime çka e bën të pamundur që mbrojtja të dijë se ku pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet e caktuara.

Kehoe: Vetëm pasi të largohen redaktimet do të mund të mendojmë për një njoftim për alibi

“A do të përdorim në mbrojtje alibie, përgjigja është po. Për shembull nëse do të marrim parasysh kohën nga konferenca e Rambujesë, deri në fund të shkurtit deri në pranverë, klienti im ka qenë në Evropë, ka qenë duke u takuar me udhëheqës ndërkombëtar, nga ana tjetër ka akuza të shumta dhe e vërteta është që ka kaq shumë redaktime sa është e pamundur për neve të marrë me mend se kur kanë ndodhur ngjarje të caktuara, në momentin kur të hiqen redaktimet të tilla atëherë do të kemi një informacion më të plotë, vetëm atëherë do të kemi mundësi që kur të lexojmë për shembull vendet, data, emrat, vetëm atëherë do të kemi mundësi të mendojmë për një njoftim për alibi, më përpara nuk mund të themi asgjë”, ka thënë Kehoe.

Edhe nga ekipi i mbrojtjes së Kadri Veseli kanë thënë se kanë identifikuar dy fusha ku mund të jetë e nevojshme njoftimi për alibi por fillimisht duhet të largohet redaktimi.

Strong: Kemi identifikuar dy fusha ku mund të jetë i nevojshëm njoftimi për alibi

“Kemi identifikuar dy fusha ku mbase mund të jetë e nevojshme njoftimi për alibi, megjithatë, do të duhet të shikojmë çfarë do të na tregojë informacioni për të hiqet redaktimi në materiale. Mbështesim fortë që të shikojmë një tabelë për të kuptuar se kur do të hiqen redaktimet dhe kur do të hiqen të gjitha instrumentet, pra si në dëshmitë e dëshmitarëve por gjithashtu edhen ë dosjet paraprake”, ka thënë avokati Strong.

Ndërsa, avokati i Rexhep Selimit, David Young ka thënë se e kanë të vështirë të thonë nëse do të bëjnë njoftim për alibi, për shkak të sasisë së madhe të redaktimeve.

Yung: Për shkak të sasisë së redaktimeve është e vështirë të përcaktojmë nëse do të ketë njoftim për alibi

“Duke marrë parasysh sasinë e redaktimeve është e vështirë për neve të themi se nëse do të bëjmë ndonjë njoftim për alibinë, për këtë arsye ne kemi dhënë këtë lloj formulimi, kemi thënë të parashikojmë potencialisht se do të kemi nevojë për një njoftim alibie”, ka thënë avokati i Selimit.

Avokati i Jakup Kransiqit, Aydan Elis ka thënë se janë në pritje të tabelës së prokurorisë e cila tregon kur do të hiqen redaktimet.

Elis: Presim që prokuroria të largojë redaktimet

“Me materialin që kemi ne do të bëjmë më të mirën e mundur që të trajtojmë informacionin në dosjen paraprake, ndërkohë për momentin nuk kemi informacion të plotë, nuk mund të themi nëse do të bëhet një njoftim për alibi, presim të kemi tabelën nga prokuroria për të ditur se kur do të hiqen redaktimet”, ka thënë Elis.

Ndërsa nga prokuroria është thënë se do të bëjnë të pamundurën që deri në fund të muajit tetor të ofrojnë largimin e sistemit të redaktimeve në aktakuzë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat