Reagim i Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj publikimeve linçuese për anëtarin e KPK-së, Prof. Asoc. Dr. Agron Beka

Aktuale

Reagim i Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj publikimeve linçuese për anëtarin e KPK-së, Prof. Asoc. Dr. Agron Beka

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 20:31
Agron Beka

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Prof. Asoc. Dr. Agron Beka, i propozuar nga fakultetet juridike dhe i zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në detyrën e anëtarit të Këshillit, së fundmi është bërë cak i linçimit publik nga disa eksponentë të caktuar politikë, të cilët po mundohen ta njollosin figurën e tij publike.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) konsideron se kjo është një fushatë e orkestruar, tendencioze dhe denigruese, e nxitur nga struktura të caktura që kanë për qëllim njollosjen e sistemit prokurorial.

Një fushatë e tillë sistematike është orientuar edhe ndaj këtij anëtari të Këshillit, i cili vije nga radhët e botës akademike dhe që me angazhimin e tij po jep kontribut të vazhdueshëm në avancimin e sistemit prokurorial dhe rrjedhimisht edhe në fuqizimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Raportimi i pasurisë së secilit individ që bartë përgjegjësi apo funksione publike bëhet nëpërmjet deklarimit ligjor dhe janë organet kompetente ato që vlerësojnë ligjshmërinë e saj. Andaj, në këtë rast, anëtari i Këshillit Prokurorial, ka deklaruar se ndaj akterëve të këtyre publikimeve nxitëse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe anëtarët e tij nuk do të zmbrapsen në asnjë moment nga ushtrimi i funksionit dhe mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të atakuar sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat