Analisti Artan Muhaxhiri thotë se tashmë ka ardhë koha që edhe bashkësia ndërkombëtare është duke insistuar në ndryshimin e rrjedhjes së dialogut Kosovë-Serbi.
“Kjo vizitë është vazhdimësi e presionit të shtuar ndaj Kosovës për të qenë më konstruktive në dialog edhe nuk janë të habitshme edhe deklaratat e emisarit Lajçak sepse është evidente që edhe bashkësia ndërkombëtare po insiston në ndryshimin e dinamikave, në përshpejtimin e arritjes së marrëveshjeve në mënyrë që të shkohet drejt synimit të arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Muhaxhiri.
Ndërsa, thotë se deri sa takimi zgjatur për më shumë se dy orë dhe nuk u dhanë detaje, ky nuk është sinjal i mirë.
“Nuk është sinjal i mirë që nuk pati shpjegime më të detajshme për takimin sepse zakonisht kur ka ndonjë zhvillim pozitiv edhe pjesëmarrësit tentojnë që ta bëjnë publike dhe t’i marrin meritat për ato zhvillime pozitive, por në rast kur takimet janë të rënda, të vështira atëherë natyrisht që edhe interpretimet e atyre takimeve janë më të thjeshtëzuara siç ndodhi edhe sot”, tha ai.