Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të SBASHK-ut për vazhdimin e grevës në arsim, duke thënë se deri më tash ka mbajtur mbi 30 takime me sindikatat dhe se shumica e kërkesave janë adresuar, teksa kërkesën për 100 euro shtesë e ka quajtur të paarsyeshme.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu ka thënë se deri tani kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi dhe shefi i stafit të kryeministrit janë takuar të paktën 10 herë me kryetarin e BSPK, Atdhe Hykolli.
Ai ka bërë të ditur se ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka mbajtur katër takime me përfaqësues të sindikatave, përfshirë BSPK. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi të paktën katër takime me përfaqësues të degëve sindikale, përfshirë BSPK-në.
Kryeziu po ashtu ka bërë të ditur se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pasur gjashtë takime me sindikatat e policisë, zjarrfikësve, infermierëve e arsimit, ndërsa ministrja e Arsimit Arberie Nagavci tetë herë është takuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut.
Gjithsej janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave. Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara, ka shkruar Kryeziu në Facebook.