Zyra e Prokurorit të Specializuar vjen me një lajm jo të mirë për Veselin, Krasniqin e Selimin

Aktuale

Zyra e Prokurorit të Specializuar vjen me një lajm jo të mirë për Veselin, Krasniqin e Selimin

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 09:55
Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes parashtresave drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Këta të fundit, janë nën masën e paraburgimit që nga nëntori i vitit 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje.

Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat