Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në një shkresë drejtuar trupit gjykues, ka pretenduar se vazhdimi i paraburgimit ndaj Salih Mustafës mbetet i nevojshëm dhe proporcional.
Sipas tyre, secili nga rreziqet e Nenit 41 (6) (b), vazhdojnë të ekzistojnë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë shkresë, thuhet se i akuzuari ende mund të pengojë përparimin e procedurës kryesisht duke ndërhyrë te viktimat, dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre dhe masat e tjera përveç paraburgimit nuk janë në gjendje ta zbusin atë rrezik.
Po ashtu, thuhet se rreziqet e arratisjes dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme gjithashtu mbeten të larta.
Sipas prokurorisë, probabiliteti që të njëjtat të ndodhin rritet ndjeshëm nga përfundimi i afërt i çështjes, i shënuar me mbylljen e çështjes së Prokurorisë, mbylljen e çështjes së mbrojtjes, mbylljen e procedurave të provave, depozitimin e procesverbaleve përfundimtare të gjykimit dhe caktimin e fjalëve përfundimtare.
“Nuk ekzistojnë rrethana të reja, vetëm faktorë shtesë që luftojnë në favor të vazhdimit të paraburgimit”, ka thënë prokuroria.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.