Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka pranuar raportin e inspektoratit të këtij institucioni rreth zbatimit të procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ajo në një konferencë për media ka thënë se raporti tregon se janë gjetur shkelje dhe veprime kontradiktore që sipas saj lënë dyshime të mëdha për manipulime të provave, andaj i ka bërë thirrje prokurorisë që të ndërmarrë masa për zbardhjen e së vërtetës në rastin e aktivistit Dehari.
Haxhiu ka thënë se Inspektorati ka trajtuar edhe shqiptimin e masave ndaj personave përgjegjës dhe transferet e tyre në qendrën e paraburgimit në Lipjan.
Sipas saj, në vend të suspendimit të menjëhershëm të stafit përgjegjës në qendrën e paraburgimit në Prizren, ata kanë vazhduar të jenë në punë deri më datë 21 nëntor 2016, për çka Haxhiu ka thënë se lë hapësirë për manipulim të provave dhe dëshmive.
Haxhiu: Mbi bazën e raportit konstatohen veprime kontradiktore
“Është po ashtu e çuditshme dhe e paprecedentë që dëshmitari kryesor në rastin e A.D., Naser Makolli, është transferuar më datë 9 dhjetor në Lipjan ku paraprakisht ne qendrën e njëjtë ishin transferuar edhe oficerët me masën disiplinore të transferimit. Me fjalë të tjera, po i bie që në qendrën në Lipjan janë transferuar edhe zyrtarët përgjegjës e po ashtu edhe dëshmitari kryesor Naser Makolli me ç’rast dëshmitari kryesor kishte ndërruar jetë po aty. A mendoni që kjo mund të jetë një rastësi? Po ashtu raporti adreson edhe deklaratat kontradiktore të zyrtarëve përgjegjës dhe çështje të tjera. Mbi bazën e këtij raporti konstatohen veprime kontradiktore, të paqarta dhe le dyshime të mëdha për manipulime të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në rast, andaj thërrasim prokurorinë të ndërmarrë masa adekuate dhe cilësore për zbardhjen e së vërtetës në rastin Dehari”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se marrja dhe posedimi i incizimeve me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj te zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK-së, çka sipas saj përbën shkelje të legjislacionit penal dhe përkatës për mbrojtjen e të dhënave.
Haxhiu: Incizimet e kamerave të sigurisë janë marrë para se ato t’i merrte policia
“Është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte policia, nga data 5 kur ka ndodhur rasti, dhe datat 6, 7 nëntor 2016. Pra, është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD-së kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes. Sipas legjislacionit në fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale, autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se zyrtarët e institucionit mund të kenë qasje në incizimet, por në asnjë mënyrë t’i marrin ato, në veçanti para se t’i marrë policia.
Haxhiu: Kryeinspektori në vitin 2016 ka nxjerrë dy raporte kontradiktore
“Sipas raportit të Inspektoratit, kryeinspektori në vitin 2016, lidhur me rastin në fjalë ka nxjerrë dy raporte, kontradiktore, njëra më 14.11.2016 dhe tjetra më datë 21.11.2016. Në raportin e parë të kryeinspektorit, thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshme duke e cilësuar rastin si vetëvrasje, duke tejkaluar kështu kompetencat ligjore si kryeinspektor, ndërsa në raportin e datës 21.11.2016, bën sërish inspektim dhe shkruan me rastin e vdekjes së A.D. Këto dy raporte janë të nënshkruara nga kryeinspektori Ylber Topalli, ku raportin e datës 14, ky i fundit e mohon që është i shkruar nga ai dhe rrjedhimisht e konteston si të tillë. Dhe tani u takon organeve të ndjekjes që ta zbardhin nëse ky raport është i falsifikuar, nëse po, nga kush, apo nëse kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se raporti, me të gjitha shkresat përcjellëse do të dërgohet te Kryeprokurori i Shtetit dhe organet përgjegjëse që kanë autorizime për shqiptimin e masave ndaj akterëve të përfshirë në rastin Dehari, i cili ka ndërruar jetë më 5 nëntor 2016.