Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është shprehur e habitur sesi Avokati i Popullit ende nuk ka reaguar në lidhje me grevën në arsim. Sipas saj, Avokati i Popullit duhet të kishte folur për hir të balancimit të të drejtave.
Nagavci këto deklarata i bëri në emisionin “Debat Plus” ku foli edhe për bisedat para grevës me kryesinë e SBASHK-ut ku iu kishte kërkuar një listë me mësimdhënësit në kushte më të rënda në mënyrë që ndihma më e madhe të shkonte për ta.
“Greva e shpallur në kuadër të BSPK-së, që të kërkohet rritje nga 100 euro si për ata që i kanë 1 mijë e 500 euro rrogë si për ata që i kanë nga 500 euro e bënë të pamundur realizimin e kërkesës dhe nuk ka më arsyeshmëri”, tha Nagavci duke e quajtur këtë vendim si arbitrar nga ana e SBASHK-ut.
Ajo ka theksuar se kryesia e SBASHK-ut është e njoftuar se me Ligjin për paga do të ketë paga më të mira për mësimdhënësit sesa që parashihej në projektligjin e Qeverisë Haradinaj 2.