Bashkëkryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se deputetja Doarsa Kica-Xhelili e cila u largua nga kjo parti për t’iu bashkuar LDK-së i ka ndryshuar qëndrimet e saj për reformën në drejtësi.
“Të largohesh nga ky koalicion dhe të shkosh në një parti politike e cila që 20 vjet është e pranishme në pushtet dhe që reformën për drejtësi në një vit e gjysmë ky koalicion ka ndërmarrë shumë më tepër hapa drejt reformës në drejtësi, edhe drejt konkretizimit”.
“Bashkëpartiakja i ka ndërruar qëndrimet e saj rreth refomës në drejtësi, sepse përndryshe nuk do të ishte e mundur të shkonte në një parti e cila përtej fjalëve boshe rreth drejtësisë gjatë më shumë se 20 vjetëve, ku ka qenë pjesë e pushtetit, nuk ka dëshmuar”.
Gërvalla-Schwarz, në Rubikon të Klan Kosovës, nuk komentoi më shumë për motivet e largimit të ish-bashkëpartiakes së saj, por tregoi bisedën e fundit me të për reformën në drejtësi për të cilën Kica-Xhelili tha se ishte arsyeja kryesore e largimit të saj.
“Deputetja Kica-Xhelili nuk e di çfarë ka biseduar me kryeministrin apo me kryetarin e Vetëvendosjes, sepse unë nuk kam qenë e pranishme në ato biseda qëe mund t’i ketë zhvilluar ajo me të. Unë e di çfarë ka biseduar deputetja Kica-Xhelili në grupin tonë parlamentar dhe çfarë ka biseduar me mua si drejtuese e përkohshme e subjektit politik”.
“Nëse flasim konkretisht për reformën në drejtësi mua më kujtohet një bisedë që e kam zhvilluar me deputeten Kica-Xhelili – ajo ka pasë dilema rreth momentit kur po votohet në Kuvend ideja e Byrosë, por më ka siguruar që ideja e Byrosë dhe reformat në drejtësi e kanë mbështetjen e saj të plotë. Kjo ka qenë biseda jonë e fundit dhe e para që kemi pasë rreth kësaj reforme. Unë nuk dua të komentoj as motivet, as zhgënjimet, as perspektivën dhe as pritjet e deputetes, por unë dua të them që të largohesh nga ky koalicion qeveritar i cili ndoshta mund të ketë defektet e tij në tempon dhe ritmin me të cilat po përpiqemi ta implementojmë reformën në drejtësi”.