Mbledhja e Qeverisë/ Miratohen disa projektligje – Sveçla jep një lajm të mirë për sulmet kibernetike

Aktuale

Mbledhja e Qeverisë/ Miratohen disa projektligje – Sveçla jep një lajm të mirë për sulmet kibernetike

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 08:44 Përditësuar në ora: 13:38 më 14.09.2022
Qeveria e Kosovës

Kurti u kërkon ministrave pesë suksese – flet për marrëveshjen për energji në veri

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ka kërkuar nga ministrat e tij që t’i sjellin pesë arritjet që i kanë bërë dikasteret qeveritare gjatë kësaj periudhe.

Ai tha se për këtë pas mbledhjes së Qeverisë u ka kërkuar ministrave që të prezantojnë arritje dhe ku kanë qenë ngecjet.

“Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, kërkova nga ministrat që javën e ardhshme të sjellin katër ose pesë arritjet e tyre gjatë qeverisjes një vit e gjysmë. Të shohim se çka kanë arritur këto dikastere, çfarë të keqe e kanë ndalur”, tha Kurti.

E sa i përket veprime të “Elektroseverit”, për ndryshim të marrëveshjes për faturimin e energjisë elektrike në veri, Kurti tha se e njëjta nuk do të ndryshojë.

Marrëveshjet që bëhen, janë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Marrëveshja e udhërrëfyesit është implementuar dhe nuk do të ndryshohet. Ne nuk do të bëjmë marrëveshje tjera”, tha Kurti.

Kurti jep detaje temat që i foli me Ramën në “takimin urgjent”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar arsyen e vizitës së tij në Tiranë, me homologun e tij shqiptar, Edi Rama.

Ai tha se temë diskutimi kanë qenë sulmet kibernetike dhe energjia.

Takimi i djeshëm ka qenë drekë pune dhe shumë i mirë dhe i nevojshëm për shkak të temës. E para ka qenë siguria kibernetike dhe isha i interesuar që të marrë informata sidomos me veprimet e fundit atje”.

E dyta ka qenë sfidat e energjisë në muajt në vijim, ku e dini se KEK dhe KESh komunikojnë shumë mirë dhe e dini se gjatë verës kemi dhënë rrymë”.

Sveçla thotë se më 31 korrik grupe të uniformuara serbe ishin në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se në natën midis 31 korrikut dhe 1 gushtit kishte grupe të armatosura dhe të uniformuara në pjesën e veriore të vendit.

Janë duke u bërë hetime. Kemi dëshmi për prezencë të grupeve të armatosura, të uniformuara, me maska në natën midisi 31 korrikut dhe një gushtit. Institucionet tona janë duke punuar për t’i identifikuar ata dhe jemi në rrugë të mirë për t’ia arritur kësaj”.

“Është hera e parë që këtë e konfirmon edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, gjë të cilën ne e kemi thënë qe një kohë e që na është konfirmuara nga aleatët tanë ndërkombëtarë”.

Qeveria ndan 2.6 milionë euro për specializantët

2.6 milionë euro është shuma që ka ndarë Qeveria e Kosovës për mjekët specialistë, gjatë së mërkurës

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, kjo shumë ndahet për pagesat shtator-dhjetor 2022 si dhe e njëjta do të kontribuojë në hapjen e vendeve tjera për specializim.

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministria e Financave ka sjell për aprovim kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore për pagesën e specializantëve për periudhën shtator-dhjetor 2022 në vlerë 2 milionë e 610 mijë e 100 euro”.

Një ndarje shtesë që të mundësohet pagesa e specializantëve dhe poashtu të ketë hapësirë për hapje të vendeve për specializim që janë të domosdoshme për sistemin tonë shëndetësor. Mjetet në vlerë prej 1 milion e 490 mijë euro ndahen për ministrinë e Shëndetësisë kurse pjesa tjetër prej 1 milion e 120 mijë e 100 euro ndahen në kategorinë e subvencioneve dhe transferove”, ka thënë Murati .

Vendos Qeveria, hiqet ndalesa për eksportin e vajit dhe grurit

Qeveria e Kosovës ka miratuar shfuqizimin e vendimit të marrë në muajin prill që ndalonte përkohësisht eksportimin e produkteve esenciale të produkteve agro-ushqimore.

Kryeministri, Albin Kurti, deklaroi se tashmë ka përmirësim të furnizimit me produkte esenciale, prandaj edhe është kërkuar shfuqizimi i këtij vendimi.

Tani kemi përmirësim të furnizimit me produkte esenciale ushqimore në tregun e Republikës së Kosovës dhe lehtësime në furnizim me lëndë të parë për sasi të kontraktuara nga bizneset vendore andaj është propozuar shfuqizimi i këtij vendimi”, tha Kurti.

Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, kërkoi që ky vendim të shfuqizohet.

Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin nr 09/69 të datës 13 prill 2022 ka bërë ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri-eksportit të produkteve esenciale agro-ushqimore. Ky vendim ishte marrë me qëllim të sigurimit të sasisë së mjaftueshme të produkteve esenciale në tregun e Kosovës si pasojë e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Me përmirësimin e situatës kërkojë që ky vendim të shfuqizohet”, tha Hajdari.

Tubimet publike – Qeveria përcakton një varg rregullash

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar projektligjin për tubime publike.

Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se “ky projektligj ka për qëllim të sigurojë ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubime publike si dhe të drejtës për të organizuar dhe marrë pjesë në ngjarje publike”.

Sveçla tregoi se ky projektligj do të përcaktojë edhe çështje si koha dhe mënyra e lajmërimit të tubimeve dhe ngjarjeve publike.

“Me këtë projektligj rregullohet edhe koha dhe mënyra e lajmërimit të tubimeve dhe ngjarjeve publike si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e organizatorëve dhe të Policisë së Kosovës për zbatim të tij”, tha Sveçla.

Kurti krenohet me ligjet e miratuara: Krimi e korrupsioni po luftohen, është rritur llogaridhënia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për punën e qeverisë së tij në këtë periudhë, para kabinetit qeveritar.

Duke përmendur projektligjet që janë miratuar në Kuvend, Kurti tha se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këtë sesion.

Shefi i ekzekutivit, përmendi luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe projektligjet që kanë të bëjnë me siç tha, mirëqenien e qytetarit.

Përmes projektligjeve të miratuara kemi luftuar krimin dhe korrupsionin dhe kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit me miratimin e shumë projektligjeve”, tha Kurti.

“Për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin. Në vetëm 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje ndërkaq në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi ku nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm”.

Mes tjerash, Kurti thotë se të gjitha këto korrespodojnë me vullnetin ndaj fuqizimit të shtetit.

Shifrat korrespondojnë me vullnetin dhe kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”.

Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Përmes projektligjeve të miratuara kemi luftuar krimin dhe korrupsionin dhe kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit me miratimin e shumë projektligjeve. Përveç vettingut si reformë në drejtësi, po vazhdojmë me temat që kanë të bëjnë me çështje sociale”.

Qeveria miraton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit e Prokurorinë Speciale

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjet për Prokurorin e Shtetit dhe atë për Prokurorisë së Speciale.

Në mbledhjen e Qeverisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se miratimin e këtyre Projektligjeve do të ketë funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë.

Hartimi dhe finalizimi i këtij drafti është bërë në konsultim edhe me shoqërinë civile, po ashtu janë caktuar kompetencat e kryeprokurorit dhe kryeprokurorëve që punojnë në prokuroritë e Kosovës. Gjithashtu është rregulluar edhe funksionimi i zyrës së dhunës që do të funksionojë pranë zyrës së kryeprokurorit të shtetit”, tha ajo.

Gjithashtu Haxhiu kërkoi miratimin e projektligjit për prokurorinë Speciale, duke thënë se projektligji përcakton kompetencat dhe përgjegjësit e PS-së.

Miratohet në Qeveri Projektligji për Siguri Kibernetike, themelohet Agjenci e veçantë

Qeveria e Kosovës me vota unanime të kabinetit qeveritar ka miratuar Projektligjin për Siguri Kibernetike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla duke folur për sulmet kibernetike të ditëve të fundit ndaj shërbimeve të internetit në institucionet e Kosovës tha se projektligji për Siguri Kibernetike synon të krijojë kushte që të ketë siguri kibernetike në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të Projektligjeve të MPB-së, për vitin 2022 është edhe Projektligji për Sigurinë Kibernetike”.

Siç e dimë kohëve të fundit jemi përballur me sulme kibernetike që kanë cenuar funksionalitetin e shërbimeve”.

Përmes këtij ligji synohet të krijohen kushtet që të ketë siguri kibernetike në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Projektligji për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës votohet në Qeveri

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka miratuar Projektligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se verifikimi i të dhënave që dëshmojnë krimet e kryera i kontribuojnë në veçanti përmbushjes së të drejtës së viktimave dhe shoqërisë për të ditur të vërtetën, të drejtën në drejtësi dhe për garantim të mospërsëritjes.

Pas miratimit, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se vetëm duke respektuar të kaluarën mund të ketë një të ardhme të ndritur.

“Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhshme të ndritur”, ka thënë Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat