Përfaqësuesi i Këshillit Grevist, Ali Sefaj, ka tregouar prapaskenat e takimit me kryeministrin Kurti dhe ministrat e tij.
Nga ky takim ajo se çfarë më së shumti u diskutua në media e në publik lirshëm mund të themi se ishte fjala “Vëlla”. Krejt kjo pasi Kurti në konferencën për media tregoi se Jasharaj i kishte kërkuar atij ta ndihmonte si vëlla, ndërsa, kryeministri Kurti i shpreh se si vëlla mund ta ndihmonte privatësisht, jo si kryeministër, sepse kryeministri nuk bënë pazare.
E për këtë emërtim nga Jashari e për këtë shpjegim nga Kurti, Sefaj pati disa fjalë.
“Kryetari Rrahmani iu drejtua “Po të kërkojmë të na ndihmosh, si kryeminister, si mik, si vëlla”, do të thotë i përdori dy-tre cilësime me qëllim që të zbutet distanca që është krijuar, në mënyrë që të vijmë te një zgjidhje, dhe nuk e kemi kërkuar këtë ndihmë, këtë mbështetje, këtë konsideratë nga Albin Kurti, por e kemi kërkuar nga kryeministri i Kosovës dhe siç e përdorim ne në zhargonin popullor kur përdor shprehje dashamirëse apo përkëledhëse krijohet një distancë më e ngrohtë dhe që mund të rritet niveli i komunikimit mbi këtë prizëm, formati siç duket është keqkuptim”
“Ai tha “Buxheti sikur të ishte i imi, mund t’iu ndihmojë nga llogaria private”, ne nuk kemi kërkuar të ndihmohemi nga llogaria private, ne kemi kërkuar të ndihmohemi ose të ndahen mjetet financiare por, po e ritheksoj, kërkesa nuk është financiare, është përtej financiare, ato janë taksa të qytetarëve, ai është buxheti i Kosovës dhe ne jemi prej qytetarëve që paguajmë taksa, tatimohen pagat tona, jemi kontribut-dhënës në këtë shoqëri, në këtë vend, dhe që për keqardhje nuk do të duhej të nxirrej kjo deklaratë apo të interpretohej në këtë formë“
Sefaj gjithashtu tha se është i çuditur nga kryeministri Kurti pasiqë i njejti ka qenë përkrahës i tyre për 10 vjet rresht.
“Unë edhe sot jam i çuditur. Dikush që na ka përkrahë 10 vjet, ka qenë mbështetës i yni, është solidarizu me secilën kërkesë tonen, e janë ato fjalimet e postimet e famshme të vitit 2019 ku e mbështet grevën, sot ishte një kryeministër tjetër që nuk ngjasonte me të. Unë nganjëherë e them kështu ‘më duket se zgjohem nga një makth që s’mund ta besoj si mund të vijm deri te kjo ftohje apo të mos adresohen kërkesat tona të cilat janë lehtësisht të realizueshme”
Sefaj gjithashtu komentoi edhe deklaratën e ministrit Murati, i cili tha që “procesi mësimor është marrë peng nga Sindikata e Arsimit” dhe mund të kenë qëllime tjera.
“Unë pres që të ketë reflektim, nëse nuk do të ketë reflektim do të ketë zhgënjim te të gjithë qytetarët, e ajo do ta penalizoj Albin Kurtin. Unë i them kryeministrit të na demantoj. Nëse plotësohen kushtet, disa prej kushteve dhe fillon dialogu social greva mund të përfundoj sonte. Po, kërkesat tona janë politike, janë të politikave sociale dhe nuk lidhet me asnjë agjendë tjetër. Këto parti opozitare, kur kanë qenë në pushtet janë sjell edhe më vrazhdë se sa sillet Albini sot me neve dhe na mbështesin sot kur janë në opozitë. Thjesht, gjithmonë mund të ketë pretendime si karem nga opozita për të ardhë në pushtet, mirëpo asnjëherë nuk e kanë synim dhe qëllim, avansimin e të drejtave të punëtorëve”, përfundoi ai.