Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen sallës plenare, në seancën e parë për sesionin e ri vjeshtor pas më shumë se një muaji pushim.
Aty në rend ditë do të jenë 16 pika, ndër to si pika e 8-ë edhe debati parlamentar për Grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e thirrur nga opozita.
E kjo seancë përveç që është e para për sesionin e ri, është e para edhe për punën që do ta ndjekë bazuar në Rregulloren e re.
Për këtë çështje ka folur sot në emisionin INFO PLUS në RTK, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Ai tha legjislatura në të cilën ai bënë pjesë arriti që pas më shumë se 10 vitesh të miratojë Rregulloren e re të punës si akti më i rëndësishëm i funksionimit të Kuvendit.
“Natyrisht në të shkuarën përkundër përpjekjeve e punës që ishte bërë kishin dështuar të gjitha tentativat, kjo në mungesë të stabilitetit politik. Uroj që Rregullorja e re ta rritë efikasitetin e punës së Kuvendit, të garantojë produktivitet brenda Kuvendit dhe të kemi deputet që përmbushin përgjegjësitë dhe mandatin e tyre politik”.