Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot gjatë një takimi me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, se procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.
Kurti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, si dhe vlerësoi angazhimin e Sarrazin dhe rolin e rëndësishëm të Berlinit zyrtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet rajonale, ndërsa u theksua rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.
“Qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kurti.