Kryeministri Albin Kurti priti sot në “Ballkonin e Hapur” të Qeverisë, drejtues dhe pjesëmarrës të konferencës “Liderët e Rinj Evropiano-Amerikanë", të cilët ditëve të fundit kanë qëndruar në Kosovë.
Ai me këtë rast zhvilloi një diskutim të hapur mbi reformat dhe arritjet e qeverisë, politikën e jashtme dhe synimet e Kosovës për integrim në BE dhe NATO.
Kurti tha se konferenca të tilla ngjallin dhe nxisin interesimin për vendin tonë.
“Për disa prej juve lufta në Kosovë mund të ketë qenë ngjarja e parë e madhe politike që e mbani në mend. Shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë”, u shpreh ai.
Duke renditur arritjet e shoqërisë dhe qeverisë, ai veçoi përparimin demokratik.
“Sot Kosova nuk po bënë vetëm hapa të vegjël, por po bën hapa të mëdhenj drejt demokratizimit, veçanërisht në krahasim me vendet e regjionit. Zgjedhjet janë konkurruese, të lira dhe të drejta, ku opozita mund të fitojë. Gratë përbëjnë 34.17% të Parlamentit që është më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE-së. Vitin e kaluar kemi zgjedhur presidenten e dytë grua, dhe kemi një zëvendëskryeministre dhe tre ministra nga komuniteti jo-shqiptarë, si dhe tre ministra nga diaspora”, tha kryeministri Kurti.
Sa i përket agjendës së politikës së jashtme, Kurti tha se ky është vit mjaft ambicioz duke qenë se përfshinë kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, katër liritë e Procesit të Berlinit dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian.