Dy sulmet “blic” për Kosovën: Një në veri, e një në... Ja çka po përgatit Serbia!

Aktuale

Dy sulmet “blic” për Kosovën: Një në veri, e një në... Ja çka po përgatit Serbia!

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 16:10
Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti

Përveç skenave melodramatike në Parlamentin e Serbisë së Aleksandër Vuçiqit, që ka ofruar edhe dorëheqjen e tij për ‘pataten e nxehtë’- Kosovën, situata është realisht shqetësuese.

E ka shumë mundësi që edhe vizita e beftë e Albin Kurtit me Edi Ramën, me të cilin u takua katër sysh, të ketë pasur si objekt lajmet e frikshme që po vijnë nga shërbimet e specializuara.

Mediat serbe, po përgatisin një mjedis lufte në veri të Kosovës, ku sipas gjasave do të provokohet një sherr i madh apo një tension drejt konfliktit.

Gazeta ‘Novosti’ e Beogradit, prej ditësh po jep lajme pa asnjë verifikim, në lidhje me ato që i quan incidente të shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut.

Në numrin e fundit, ‘Novosti’ shkruan për një djalë të ri që u dhunua, sipas saj, nga shqiptarët, por pa dhënë asnjë fakt.

Në veri të Kosovës, Policia drejtohet dhe përbëhet kryesisht nga oficerë dhe nënoficerë të kombësisë serbe, e kështu që kushdo mund të bëjë denoncim.

Atje ka prokurori e gjykatë, që gjithashtu përbëhen nga serbë, por edhe seli diplomatike të BE-së, OSBE-së, ShBA-së dhe vendeve të tjera, të cilat fare mirë mund të jenë një palë e tretë, ku serbët e veriut mund të dorëzojnë ankesat apo denoncimet e tyre.

Shkurt, e gjitha kjo është një skenar i parapërgatitur, e që synon të bllokojë planin amerikan për Kosovën.

Siç shkruajnë mediat serbe, ShBA i ka bërë të ditur Beogradit se së shpejti do të aktivizojë në OKB një nismë të fortë politike, ku do t’i kërkohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të votojë për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota.

Ky vendim, edhe pse duhet ratifikuar nga Këshilli i Sigurimit, ku Kina dhe Rusia kanë të drejtën e vetos, e mund ta bllokojnë, gjithsesi politikisht do të kishte një rëndësi të madhe, edhe për të shkundur ato vende, kryesisht latinoamerikane apo aziatike, që kanë tërhequr njohjen e Kosovës si pasojë e lobimit të Beogradit.

Këtu, Shqipëria si anëtare e Këshillit të Sigurimit mund të japë një kontribut në organizimin e seancës, natyrisht aq sa mundet. E ndaj dhe takimi i beftë mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës, shpjegohet qartësisht në këtë iniciativë.

Siç bën të ditur gazeta serbe ‘Novosti’, nga ky presion i amerikanëve, Aleksandër Vuçiç ka bërë të ditur se do tu dërgojë një letër Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe atij të Kinës, Xi Jinping, për të bllokuar këtë nismë në Këshillin e Sigurimit.

Vuçiç ka thënë se pranon në këtë rast propozimin e kreut të partisë opozitare Partia Popullore Serbe që drejtohet nga Vuk Jeremiç, i cili përveçse ministër i Jashtëm ka qenë edhe kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i përkrahur nga Rusia e Kina.

Nëse Vuçiç e formalizon këtë deklaratë, pra ua dërgon letrën zyrtarisht krerëve të Moskës dhe Pekinit, ai hyn në konflikt direkt me amerikanët, të cilët ende po e llastojnë, por jo për shumë kohë, pasi e kanë vënë para dilemës se tani duhet të zgjedhë.

Disa komentatorë serbë e konsiderojnë deklaratën e Vuçiçit si një lloj presioni, për të marrë pozitën e viktimës, pasi sipas tyre ai nuk guxon të dalë kundër amerikanëve, ngaqë janë ata që e mbajtën në pushtet.

Nëse ia heqin mbështetjen, apo siç tha Vuçiç që do të japë dorëheqje, se nuk do ta njohë Kosovën, Serbia do të zhytej në kaos politik. Uashingtoni, sipas ‘Danas’, gazetës serbe properëndimore, nuk do të lejojë që Rusia tani të rikthehet aq fuqishëm në Serbi si disa vjet më parë.

Ndalimi i vizitës së ministrit të jashtëm, Sergej Ivanov, dy muaj me parë, ishte një provë force se amerikanët mund të bëjnë gjëra edhe më të ashpra. E të ndalosh njeriun më të rëndësishëm të Putinit të vizitojë Serbinë, nuk është aspak gjë e vogël, por është vetëm fillimi.

Ndaj pikërisht për këtë Beogradi po përgatit trazira në veri, që të shmang apo të ndryshojë planet perëndimore për Kosovën, që priten të aktivizohen këto ditë…/Pamfleti

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat