Lajçak deklarohet pas takimit me Kurtin

Aktuale

Lajçak deklarohet pas takimit me Kurtin

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 17:11 Përditësuar në ora: 19:01 më 15.09.2022
Miroslav Lajçak

​Lajçak pas takimit me Kurtin, mohoi se ka “kornizë të re” të dialogut

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar pasditen e sotme në Prishtinë, në një vizitë të paparalajmëruar.

Ai është takuar me kryeministrin, Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Lajçak deklaroi se është takuar me Kurtin për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa me Bislimin tha se ka diskutuar për çështjet e lirisë së lëvizjes, çështjet e personave të pagjetur dhe çështjet e energjisë.

Ai nuk pranoi që të hyjë në detaje për diskutimet, duke thënë se kjo nuk i bën mirë procesit.

Lajçak: Nuk mendoj se do të jetë e dobishme të flasim për detaje

“Ne duam të sigurohemi që jemi duke kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje për këto çështje, të shmangim, e dini, tensionet ose përshkallëzimin. Prandaj ramë dakord që të vij, dhe patëm diskutime të dobishme dhe sigurisht që ky diskutim do të vazhdojë... Nuk mendoj se do të jetë e dobishme të flasim për detaje. Ajo që thashë, është me të vërtetë e rëndësishme që të diskutojmë rrugën drejt së ardhmes, që është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Dhe gjithashtu çështjet aktuale për t'u siguruar që ato nuk po na pengojnë drejt normalizimit. Dhe nuk mendoj se do ta ndihmonte procesin nëse tani hyjmë në detaje”, deklaroi Lajçak.

Ai nuk pranoi të japë datë të takimit të ardhshëm. Megjithatë, u shpreh se është habitur kur ka dëgjuar për kornizë të re të dialogut, të cilën e ka paralajmëruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajçak ka thënë se janë duke punuar për ta caktuar datën e takimit dhe njoftoi se këtë muaj do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Vuçiq, si dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Lajçak: U habita kur dëgjova fjalën "Armatura"

“Po, u habita kur dëgjova fjalën "Armatura", po përpiqem të kuptoj se çfarë do të thotë armatura sinqerisht. Mirë. Gjithsesi, ne jemi këtu për të çuar përpara procesin e normalizimit dhe takimi i radhës do të bëhet sapo të përgatitet mirë. Pra, dhe ky është gjithashtu një nga qëllimet pse jam këtu sot. Pra, sepse ju e dini, ne duam të sigurohemi që takimi të ketë një përmbajtje dhe të prodhojë diçka. E rëndësishme është që të dy liderët janë të gatshëm të takohen, BE-ja është e gatshme t'i presë ata, por ne jemi duke përgatitur agjendën. Nuk do të duhen 13 muaj të tjerë, unë mund t'ju siguroj, nëse do të jetë në shtator nuk jam i sigurt gjithashtu, sepse ne kemi Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, siç e dini, unë do të jem në Nju Jork, Presidenti Vuçiq do të jetë në Nju Jork, J. Borell do të jetë në New Yourk. Ne jemi duke punuar për ditën dhe agjendën e saktë”, tha ai.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se gjatë takimit të Kurtit e Bislimit me Lajçak, u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan Lajçak për angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Qeveria jep detaje nga takimi Kurti - Lajçak

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, njofton kabineti qeveritar.

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

“U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan z. Lajçak për angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë proces”, thuhet tutje në njoftimin e ekzekutivit.

 

Lajçak: Vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

 I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se qëllim i vizitës së tij, sot në Prishtinë, është vazhdimi i dialogut në rrugën drejtë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai, në një postim në rrjetin social, Twitter, tha se përveç bisedimeve me kryeministrin Kurti ka diskutuar edhe me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin ka folur edhe për lirinë e lëvizjes dhe energjinë.  

“Sot në Prishtinë kam vazhduar bisedën e javës së kaluar me kryeministrin, Albin Kurti, për të vazhduar rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Shfrytëzova rastin, për të diskutuar çështje aktuale edhe me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, në veçanti për lirinë e lëvizjes dhe energjisë”.

Lajçak dhe këshilltarët e Qeverisë gjermane e asaj franceze për dialogun qëndruan edhe të premten e kaluar në Prishtinë, ku, po ashtu, takuan kryeministrin Kurti.

----------------

Ka përfunduar takimi mes emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit ai ka dhënë një prononcim për media, ku ka theksuar se palët janë pajtuar që mund të takohen në baza mujore.

“Ne jemi këtu të shtyjmë procesin e normalizimit përpara dhe takimi tjetër do të ndodh sapo të përgatitet mirë dhe kjo është arsyeja që jam këtu sot”.

“Ne duam të sigurojmë që takimi të ketë substancë dhe të prodhojë diçka. E rëndësishme është që të dy liderët janë të gatshëm që të takohen dhe Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i pres ata”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat