Në Prishtinë sot kanë vazhduar punimet e Kongresit të Dytë Klinik. E organizatorët e këtij kongresi shprehen të kënaqurit me pjesëmarrjen, derisa vlerësojnë se synim kryesor i Kongresit të Dytë Klinik është edukimi i qëndrueshëm i kirurgëve.
Kryesuesi pasues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Osman Zhuri tregoi se në këtë kongres të dytë po marrin pjesë ligjërues-kirurgë nga Australia, Amerika e vende të Evropës.
Zhuri: Sivjet kemi pjesëmarrës nga Australia, SHBA, Evropa
“Ne Kolegji i Kirurgëve të Kosovës i kemi aktivitetet tona, njëri ndër to dhe më kryesori është mbajtja e kongresit. Kongresi është mjaftë voluminoz dhe me pjesëmarrje ndërkombëtare…sivjet kemi më shumë pjesëmarrës me profesorë shumë eminent të lëmive të ndryshme disiplinore. Përafërsisht, i kemi rreth 53 pjesëmarrës nga shumë shtete, ku i kemi 15 shtete duke nis nga Australia, SHBA-ve, Evropës, kështu që në këtë aspekt pjesëmarrësit tanë kanë kënaqësinë që t’i dëgjojnë ligjëratat e tyre”, tha ai.
Zhuri i cili me profesion është ortoped, thekson se qëllimi i këtij Kongresi të Dytë Klinik, është ngritja e kapaciteteve profesionale dhe shkencore, si dhe edukimi i vazhdueshëm i kirurgëve kosovarë.
Sipas tij, këto lloj ngjarjesh ndihmojnë edhe në shkëmbim të praktikave kirurgjike.
Zhuri: Qëllimi i kongresit është edukimi i qëndrueshëm
“Benificionet janë se qëllimi ynë ngritje e kapaciteteve profesionale, shkencore dhe pse jo edhe hulumtuese. Se i kemi njerëzit që merren me hulumtime e botime shumë të rëndësishme në lëmin kirurgjike, kështu që është rast shumë i volitshëm që pjesëmarrësit të njoftohen me të dhënat më të reja, me intervenimet dhe teknologjitë më të reja ky është një plus dhe avans për ata…ky është qëllimi që e organizojmë për edukim të qëndrueshëm ngritje të kapaciteteve profesionale, ky është qëllimi ynë kryesor. Përveç, kësaj është edhe shkëmbimi i përvojave. Ne vazhdimisht kërkojmë të kemi një lloj shkëmbimi shkuarje jashtë të mjekëve tanë dhe ardhje e tyre tek ne të bëhet një shkëmbim edhe në edukim edhe në intervenime të ndryshme operetive”, tha Zhuri.
Kryetari pasues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Osmani Zhuri thotë se punimet në këtë kongres po shkojnë shumë mirë dhe se presin interesim edhe në ditën e dytë të tij.
Zhuri: Pjesëmarrja është e madhe
“Po shpresojmë që pjesëmarrja do të jenë njëjtë sikurse dje edhe sot do t’i kemi temat mjaftë interesante. Dje kemi pas disa lëmi kirurgjike që e kanë kryer pjesën e tyre përveç asaj i kemi seancat plenare që fillojnë nga mëngjesi më të gjithë kirurgët, jo të disiplinave të veçanta ku të gjithë kirurgët mund të marrin pjesë. Dje ka qenë një pjesëmarrje shumë e madhe besoj që e njëjta do të jetë edhe sot”, tha ai.
Në Kongresin e dytë Klinik të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Odës së Mjekëve të Kosovës, po marrin pjesë mbi 700 persona.
Vitin e kaluar është mbajtur për herë të parë ky lloj kongresi në Kosovë.