Miroslav Lajçak për Kosovën e Serbinë: Nuk do të ketë anëtarësim në BE pa...

Aktuale

Miroslav Lajçak për Kosovën e Serbinë: Nuk do të ketë anëtarësim në BE pa...

Më: 17 shtator 2022 Në ora: 13:33
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, vuri në dukje se rruga drejt BE-së e të dyja palëve çon përmes dialogut dhe se “një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin është urgjente sepse ‘status quo’-ja nuk është e qëndrueshme”.

Lajçak ka potencuar se “rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët është përmes dialogut nën kujdesin e BE” dhe se “një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin është urgjente, sepse status quo-ja nuk është e qëndrueshme”.

“Palët kanë pikëpamje shumë të ndryshme për një sërë çështjesh në tryezë, veçanërisht për atë se çfarë do të thotë një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirës. Megjithatë, ne duhet të ruajmë optimizmin dhe të sjellim vrull pozitiv në atë që bëjmë. Është e rëndësishme të punohet për çështje që janë me interes të përbashkët dhe ku përparimi është i mundur – dhe ka shumë, duke përfshirë një dimension më të gjerë strategjik. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të kapërcejmë fazën tonë të tanishme, në të cilën flasim pothuajse çdo ditë me dy liderët vetëm për të shmangur tensionet më të mëdha dhe për të filluar të flasim më shumë për tablonë më të gjerë”, potencoi Lajçak.

Lajçak shtoi se nuk do të ketë anëtarësim në BE, për asnjërën palë, pa normalizimin e marrëdhënieve.

“Të mos harrojmë se procesi i normalizimit është i lidhur me rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë – nuk do të ketë anëtarësim në BE për asnjë palë pa normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe palët e dinë këtë. Anëtarësimi në Union është një synim strategjik i Kosovës dhe i Serbisë dhe jam i bindur se progresi në dialog do të jetë përfundimisht i pashmangshëm dhe fakti që të dy liderët tani janë gati të takohen rregullisht në Bruksel është një shenjë e përkushtimit të tyre për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat