Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për median kroate nuk e ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë, pasi sipas tij, rreth kufirit të Kosovës me Serbinë, në anën serbe janë 48 baza operative sulmuese progresive, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 i përkasin xhandarmërisë.
E ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar ish-kryeminsitri Avdullah Hoti.
Ai përmes një postimi në Facebook u shpreh se asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendoj të nis luftë.
Sipas tij, luftë nuk do të ketë as në Kosovë dhe as në rajon, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Nuk do të ketë luftë në Kosovë dhe as në rajon.
Asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendoj të nis luftë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s.
E gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik. Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese.
Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale.