​Avokati i Popullit kërkon reflektim nga SBASHK-u e Qeveria për grevën në arsim

Aktuale

​Avokati i Popullit kërkon reflektim nga SBASHK-u e Qeveria për grevën në arsim

Më: 18 shtator 2022 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

Avokati i Popullit u ka bërë sot thirrje SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës që të të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim.

Në një komunikatë për media thuhet se Avokati Popullit thotë se sot ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjet e prekura nga Avokati ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga sindikatat.

Për më tepër, Avokati i Popullit konstaton se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar, se fëmijëve po iu cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin.

Ndryshe, Avokati i Popullit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të Sindikatave dhe Qeverisë në përpjekje për të ndihmuar në daljen nga kjo situatë, por nuk është arritur marrëveshje mes palëve.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka rikujtuar palët se çdo qëndrim apo veprim duhet të ketë për prioritet interesin më të mirë të fëmijës dhe të drejtën e tyre për edukim dhe arsimim, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

“Parimi i interesit më të mirë për fëmijët duhet ta udhëheqë secilin prej nesh në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe të përgjegjësive që kemi”, ka thënë ai.

Ndryshe, SBASHK-u ka nisur grevën në arsim më 25 gusht me kërkesën për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat