Blirind Danjolli, këshilltar i ministrit të Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, ka thënë se Kosova do të jetë vendi me rritjen më të madhe ekonomike, në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo sipas tij do të jetë periudha e viteve 2022-2024.
“Gjatë kësaj periudhe, Kosova do të rritet 1% më shpejtë se mesatarja e BB6 dhe 1.2 % më shpejtë se Serbia”, ka shkruar Danjolli në Twitter.
Ai duke iu referuar Bankës Botërore thotë se “Serbia është vendi me rritjen më të ngadaltë në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Qeveria Kurti është krenuar me rritjen ekonomike të shënuar vitin e kaluar.
Por për shkak të krizës në tregjet globale, vendi po shënon normën 19 për qind të inflacionit, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Opozita gishtin e drejton kah “mosveprimi qeveritar”.
Kërkojnë masa më të shpejta, pasi shumë institucione kredibile ndërkombëtare e kanë parashikuar një dimër të vështirë.