Ministri Sveçla e kthen në punë Fadil Kodrën

Aktuale

Ministri Sveçla e kthen në punë Fadil Kodrën

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 17:17
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka rikthyer në punë Fadil Kodrën, drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, të cilin e kishte shkarkuar nga pozita dy muaj më parë.

Vendimin për rikthimin në punë të Kodrës, ministri Sveçla e ka nënshkruar sot.

Bazuar në vendimin e Sveçlës, Kodra do të rikthehet në punë nga nesër si dhe atij do t’i kompensohet paga për dy muajt e largimit nga puna.

Kodra, i shkarkuar më 14 korrik nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), kishte ushtruar kallëzim penal ndaj ministrit të Punëve të Brendshme për “cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas kallëzimit penal të dorëzuar në Prokurori, Sveçla kishte shfuqizuar vendimin e gabuar në rastin e shkarkimit të Kodrës nga pozita e drejtorit të AME-së.

Siç kishte raportuar Paparaci më 15 korrik, ministri Sveçla kishte shfuqizuar një vendim të vitit 2015 të ish-ministrit Skender Hyseni, por kishte anashkaluar një vendim të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për emërimin e Kodrës në krye të AME-së.

Bazuar në kallëzimin penal ndaj ministrit Sveçla, dëmi që e kishte shkaktuar MPB-ja ndaj Fadil Kodrës tejkalon shumën e 5 mijë eurove dhe thotë se ajo që ka bërë ministri i rendit është e dënueshme me gjobë dhe burgim prej 3 deri në 10 vjet burgim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat