Zëdhënësja e Partisë Social Demokrate, Natyra Kuçi, ka thënë se arsyeja e protestës që do të mbahet në Gjilan, është shprehja e kundërshtimit ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Ajo ka treguar se vizita e kryetares së këtij institucioni, Ekaterina Trendafilova i ka shtyrë ata që vendosin që të mbajnë këtë protestë.
“Do ta bëjmë në shenjë pakënaqësie. Vizita do të jetë e mbyllur vetëm me pak media. Andaj do ta shprehim pakënaqësinë për këtë gjykatë njëetnike”.
“Kjo gjykatë është e padëshirueshme, njëetnike dhe nuk e ka për qëllim nxjerrjen e drejtësisë, por njollosjen e luftës dhe përpjekjeve për liri dhe pavarësi. Kjo gjykatë kishte funksionon me ligjet e Kosovës, shqipton dënime në emër të Kosovës dhe nuk i ka të vendosura simbolet e Kosovës. Pra nuk e respekton ligjet dhe shtetin ku është themeluar”.
Kuçi ka shtuar se Gjykata Speciale duhet të kundërshtohet dhe duhet të tregohet pakënaqësia e qytetarëve ndaj saj.