Tre prej të arrestuarve nga aksioni “Brezovica” janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit

Aktuale

Tre prej të arrestuarve nga aksioni “Brezovica” janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 12:32
Ky operacion njoftohet të jetë vazhdimësi i hetimeve në rastin “Brezovica”

Tre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë në mesin e shtatë personave të arrestuar në aksionin “Brezovica 6”.

Këtë informacion e ka konfirmuar prokurori i rastit “Brezovica” Rasim Maloku.

"Tre të arrestuar janë të MMPH”, tha Maloku.

Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se në vazhdimësinë e aksionit “Brezovica 6”, janë kontrolluar 11 lokacione, nga këto lokacione 8 ishin në Prishtinë, 2 në Podujevë dhe 1 në Fushë Kosovë.

Prokuroria konfirmoi se ndaj shtatë të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, si dhe u bë e ditur se brenda afatit ligjor, pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Të njëjtit dyshohen për veprat penale, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka konfirmuar se në mesin e personave të arrestuar është edhe asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu.

Prokurori Rasim Maloku tha se Lahu dyshohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

Po ashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat