Dialogu Kosovë- Serbi: Kush do triumfojë, tryeza e dialogut apo parullat nacionaliste!

Aktuale

Dialogu Kosovë- Serbi: Kush do triumfojë, tryeza e dialogut apo parullat nacionaliste!

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 15:36
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Një kornizë e re për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ka bërë bujë në opinioni, por edhe në atë rajonal.

Dokumenti i publikuar në një portal periferik midis Shqipërisë dhe Kosovës, të dielën, që i referohej Francës dhe Gjermanisë si projektues të kornizës së re, në parim ishte pozicion neutral ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Aty nuk flitej për një njohje të menjëhershme, pasi kjo është e ndërlidhur edhe me zgjerimin e Bashkimit Evropian për perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

“BE-ja nuk është ende gati”, thuhej në dokument…

Por ishte përcaktuar korniza 10 vjeçare që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. E deri në atë kohë, statusi i Kosovës do të ishte vetëm një ”realitet i veçantë politik“.

Kosovën do ta njihnin pesë shtetet e BE; Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro që deri më tani nuk e kanë njohur. Nga ana tjetër Serbia do të përfitonte statusin e një “fuqie politike dhe ekonomike rajonale”.

Ndihma të mëdha do të kishte shteti serb nëse do ta pranonte këtë kornizë afatgjatë – sipas të cilës pas njohjes reciproke vendet do të ishin gati për t’iu bashkuar familjes evropiane.

Megjithatë, Qeveria e Gjermanisë të hënën i ka thënë Pamfletit se “nuk e dimë kush e shpiku këtë dokument dhe me çfarë qëllimi”.

Në të kaluarën në emër të Parisit dhe Berlinit kanë qarkulluar “non- paper” me propozime sesi të zgjidhej çështja e Kosovës.

Ajo që dihet është se dyshja e fuqishme evropiane ka interes që ta zgjidhë “ngërçin” mes Serbisë dhe Kosovës.

Ky ngërç po shkakton situata tensioni, një e ngjashme ishte më 31 korrik kur në Veri u lëshuan alarmet e improvizuara të luftës.

Rreziku nuk ka kaluar, pasi marrëveshja për targa nuk është arritur ende, e për këtë të martën është deklaruar edhe KFOR-i. I cili thotë se është i gatshëm të funksionalizojë trupat rezervë nëse territori i Kosovës cënohet pas 31 tetorit – data kur do të hyjë në fuqi detyrimi që të gjithë qytetarët e Veriut të kenë targa ‘RKS’.

“Mund të përdorim trupa edhe nga forcat rezervë të cilat ne mund t’i thërrasim brenda një afati të shkurtër. Nëse gjendja përkeqësohet ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë e të qëndrojmë në mes të protestuesve dhe organizatave të sigurisë. Ne kemi forca të mjaftueshme për t’u përballur me situatën. Me atë prani trupash mund t’i japim fund çdo përshkallëzimi”, tha zëvendës komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR, Luca Piperni  para gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste të martën për CNN ka thënë se: “Beogradi dhe Kremlini duhet të mendojnë mirë që të veprojnë në Kosovë”.

Lëkundja e paqes tashmë ka ndodhur në Veri; atje ka pasur gjithmonë benzinë por zjarri rrezikon seriozisht që prej prej 24 shkurtit, datë kur Rusia e filloi invazionin në Ukrainë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, por edhe ai i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, e përmendin konceptin “Bota Serbe”.

Kur e përmendin “Botën Serbe” si koncept s’e harrojnë pa e kujtuar edhe trashëgiminë e Lazarit, një figurë e njohur e nacionalizmit serb gjatë luftës në Betejën e Kosovës (1389).

Pra në tryezën e Brukselit po flitet për paqe, por nuk po ndodh e njëjta gjë në Beograd. Diskursi i luftës atje është shtuar…

Serbia i ka disa tryeza, atë të Brukselit ku synon perspektivë dhe atë të negociatave me disa shtete njohëse të Kosovës që ta çnjohin atë (për mocionin e çnjohjes ka debate në shkencat politike nëse ekziston si akt juridik).

Por presidenti serb haptazi nga New York tha të martën se “edhe një shtet do ta çnjohë Kosovën”, pa treguar cili – por këtë fushatë të tij e mbështetë Rusia e Vladimir Putinit.

Në këtë drejtim, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se “Rusia shtrirjen e saj hegjemone në Ballkan e ka përmes Serbisë”.

Ndërkohë s’është e qartë nëse do të triumfojë tavolina e dialogut apo parullat nacionaliste të rrugës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat