Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, ka deklarauar se sot është e nevojshme si kurrë më parë që të solidarizohemi me qytetarët që u rrezikohet shtetësia e paqja.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka prosperitet të popujve pa paqe, dhe nuk ka zhvillim e barazi të shoqërisë pa drejtësi.
“Sot nuk mund të flasim për paqen dhe drejtësinë shoqërore pa dënuar agresionin e padrejtë dhe të pa arsyetuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Demokratizimi i rajonit, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimi i ligjit dhe ballafaqimi me të kaluarën duhet të jenë parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit rajonal.
Paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë në rajon dhe më gjerë duhet të jenë pasojë e drejtpërdrejt e zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë që duhet t’i ndërtojmë mes fqinjësive të mira”, ka shkruar ai ndër të tjera.