Në vazhdën e takimeve gjatë vizitës në Nju Jork, presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Osmani ka deklaruar se qëllimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në komunitetin euroatlantik, dhe se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetin e rajonit.
E para e vendit e njoftoi kryeministrin Espot se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndaj kërkoi mbështetjen e Andorrës.
Në takim u diskutua edhe mbi forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim në fusha të interesit reciprok.