Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur shqetësimin e tij mbi gjendjen në arsim.
Ai në Debat Plus të TV Dukagjinit, ka thënë se Kosova është ajo që po i dhimbset dhe jo kryeministri Albin Kurti.
“Është shumë e pakuptimtë për mua mos gatishmëria e Kurtit për të pranuar një kërkesë shumë minimale. Vërtet kjo kërkesë për ngritje të pagave për 100 euro është vërtetë minimale. Unë nuk po e përkrah grevën, por kërkesën legjitime të mësimdhënësve për 100 euro më shumë në pagë”, tha ai.
Haradinaj ka thënë se Qeveria duhet ta shqyrtojë kërkesën për rritje të pagave.
“Kurti duhet ta lërë inatin, ta kuptojë se nuk ka të bëjë me Rrahman Jasharajn, por ka të bëjë me 20 mijë mësimdhënës, të cilët kanë qenë pararojë e proceseve në vazhdimësi. E këshilloj Kurtin, se kjo kërkesë është minimale”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk e synon rrëzimin e Qeverisë aktuale, por shtoi se Kosova do të pësojë nga qeverisja Kurti, të cilit i bëri thirrje që “të mos e merr në qafë vendin në emër të inatit ndaj opozitës”.