I përfoluri për përgatitjen e atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti, Prekë Kodra ka folur lidhur me përmendjen e emrit të tij si i dyshuar lidhur me rastin në fjalë.
Prekë Kodra, ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, nga e cila thotë se nuk është këndellur ende, që nga publikimi i saj në media.
Ai ka thënë se ishte ndalur në doganë më 24 nëntor të vitit të kaluar, për t’u dërguar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ku do të merrej në pyetje,
“Mua më kanë ndalë në Kosovë para një viti në doganë rreth datës 24 nëntor në vitin e kaluam. Kam qenë duke shku në Kosovë me ble një kamionçinë për ndërmarrjen time. Kur më kanë ndalu kam qenë më makinën e vajzës time për të marrë një kamion për ndërmarrjen tim “Art Mermer Kodra”. Më kanë marrë dokumentet, më kanë thënë, a ka mundësi me zbrit dhe më kanë mbajt aty nga ora 2 pasdite deri në 11 të darkës, as nuk më tregojshin pse jam ndal. Më kanë nxjerr paret, më kanë thonë a ke gjë me veti. I kom thonë po kam 15 mijë euro me veti. Më kanë dërguar në Prishtinë, tek Departamenti i Krimeve të Rënda, atje më kanë marrë në pyetje dhe unë nuk kuptojsha mirë se për çka bëhej fjalë. Më thanë se dyshohesh për falsifikim të parasë. Unë isha i sigurt që paratë ishin të pastërta”, ka thënë ai.
Kodra ka thënë se ishte pyetur për emrat e disa personave, por përveç mbiemrit Kelmendi, ai nuk ka mundur të kujtoj më shumë.
“Unë nuk e dija kush janë për çfarë bëhet fjalë. Më kanë pyet për disa persona, emrat e tyre s’i mbaj mend as tash. Kelmend… e ku ta di unë. Unë në Kosovë njoh vetëm një familje, ku shkoj”, ka thënë Prekë Kodra.