Ymeri: Kurti do të duhej të kishte kundërkandidat

Aktuale

Ymeri: Kurti do të duhej të kishte kundërkandidat

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 23:28
Visar Ymeri dhe Albin Kurti

Në prag të përfundimit të zgjedhjeve të brendshme në VV,  ish bashkëpartiaku i Kurit thotë se në Vetëvendosje ka dallime të mjaftueshme që përveç Kurtit të ketë edhe kandidatë të tjerë për të parin e partisë.

“Nëse përpara anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pas pëlqyeshmëri  të madhe për Albin Kurtin për shkak të qëndrimeve të tij, si mundet e njëjta anëtarësi me pas të njëjtën pëlqyeshmëri kur qëndrimet kanë ndryshu. Si mund të kemi një parti politike në të cilat një gamë e gjerë e anëtarëve të cilët kanë qëndrime të ndryshme për shumë gjëra të kenë kaq shumë pajtueshmëri dhe kaq shumë homogjenitet kur vie radha te lideri i partisë”, u shpreh ish-kryetari i Vetëvendosjes.

Ymeri thotë se edhe gjatë kohës sa ishte kryetar kishte bashkëpunim të madh me Kurtin derisa rrethanat ndryshuan.

“Gjatë kohës sa kam qenë unë kryetar natyrisht që kemi pasur bashkëpunim të madh me z. Kurti, popullariteti i të cilit dhe ndikimi politik i të cilit brenda Lëvizjes Vetëvendosje nuk është se ka rënë gjatë atyre kohëve. Mirëpo fakti që në fund jemi detyruar të ndahemi dhe mënyra se si jemi ndarë tregon që në fakt kandidatura ime dhe koha kur kam qenë unë kryetar nuk ka qenë kohë e marionetës së Kurtit, përndryshe do të vazhdonim bashkë”, shtoi ai.

Zgjedhjet e brendshme në VV që u karakterizuan edhe me tërheqje kandidaturash nëpër degë, për profesorin e shkencave politike Dritëro Arifin tregojnë për dallimet në parti.

“Po dalin në pah ato mendimet ndryshe, pozicionimet politike e ideologjitë sepse tash po e shohim se shumica e anëtarëve të VV-së kur iu kanë bashkëngjitur para zgjedhjeve po vërehet që e kanë pasur synim vetëm pushtetin jo reformimin”, tha ai.

Njëri prej kandidatëve i cili pretendon se iu ndalua kandidatura për kryetar dege është edhe Shkelzen Bislimi.

Bislimi i cili planifikonte të garonte për degën e Lipjanit tha se arsyeja që iu ndalua kandidatura ishte frika e qendrës se ai do ta mposhtte kandidatin Adnan Rrustemi.

Në nivelin qendror, Albin Kurti është kandidati i vetëm për të parin e partisë. Albulena Haxhiu është kandidatja e vetme për kryetare të forumit të gruas teksa Behar Jashari i vetmi për kryetar të rinisë.

Të dielën anëtarët e këtij subjekti do të votojnë për strukturën e re udhëheqëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat