Ish-kandidati për president të Kosovës, Nasuf Bejta, pritet ta zë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, në vend të Vasfije Krasniqit e cila të mërkurën njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes për shkaqe shëndetësore.
Media ka kontaktuar me arsimtarin nga Vushtrria, i cili figuron si deputet potencial pas kësaj situate ku Lëvizjes Vetëvendosjes iu largua një anëtare e grupit parlamentar.
Bejta, deklaroi se ende nuk ka asgjë zyrtare se kur pritet të hyjë si deputet i ri në Kuvendin e Kosovës.
Ai shtoi për mediumin të enjten se është në pritje të një njoftimi nga Komisioni Zgjedhor i Kosovës (KQZ) lidhur me këtë çështje.
“Ende nuk ka asgjë zyrtare. Jam duke pritur. Unë jam në radhë për ta zëvendësuar (Vasfije Krasniqin). Jam kandidat i denjë. Po pres njoftimin e KQZ-së. Deri atëherë shohim. Unë nuk bëj zë pa u krye puna..”, theksoi ai.
Bejta kishte bartur numrin 64 në listën e kandidatëve të deputetëve të LVV-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Rrjedhimisht, ende nuk është bërë e ditur se kur do të betohet Bejta si deputet i grupit parlamentar të LVV-së.
Ndërkohë, Vasfije Krasniqi bëri të ditur një ditë më parë se për dorëheqjen e saj e ka njoftuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Vendimi i saj për ta dorëzuar mandatin, siç tha ajo, vjen si pasojë e gjendjes jo të mirë shëndetësore me të cilën po përballet.