Nuk kalon rezoluta e PDK-së për grevat në vend, Kuvendi pa kuorum

Aktuale

Nuk kalon rezoluta e PDK-së për grevat në vend, Kuvendi pa kuorum

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 06:46 Përditësuar në ora: 13:41 më 23.09.2022
Kuvendi i Kosovës

​S’ka kuorum për ndryshimin e ligjit për pensionet, mbyllen punimet e seancës së sotme

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për miratimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të propozuar nga AAK, opozita kërkoi heqjen e kushtëzimit 15 vjet për pensionistët kontribut pagues, ndërsa mazhoranca nuk e mbështeti.

Pro këtij projektligji ishin vetëm 22 deputetë, 31 të tjerë abstenuan, kështu nuk pati kuorum për votim.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar largimin e nenit që sipas tij është i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët e viteve të ’90-ta të cilët ishin larguar dhunshëm nga institucionet shtetërore të vendit.

Dreshaj: Të largohet kushtëzimi 15 vjet për pensionistët kontributdhënës

“Sot jemi këtu për të korrigjuar një padrejtësi, dhe një nismë legjislative për të cilën ka kohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar. Kjo iniciativë është marr bazuar në shqetësimet e qytetarëve dhe nga takimet e shumta që kemi pasur me ta… pra, në këtë kërkesë bëhet fjalë për plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti apo më konkretisht neni 8.2. prandaj kërkojmë largimin e këtij neni diskriminues të këtij ligji, i cili parasheh që secili kandidat që shkon pension kontribut dhënës duhet t’i ketë së paku 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999. Me propozimin që kemi iniciuar parashihet që pensionet kontribut dhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet para 1 janari të vitit 1999. Ju përkujtoj se kështu është në të gjitha vendet demokratike të perëndimit; sa punoni kontribuoni. Kemi raste që për 1 ditë apo për një javë janë pensionuar dhe nuk kanë pasur të drejtë që ta gëzojnë pensionin kontributdhënës meritor”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollqaku tha se komisioni përkatës i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e përkrahë këtë nismë ligjore.

Megjithatë deputetja nga Vetëvendosje nuk e përkrah ndryshimin e këtij ligji në këtë formë.

Kollqaku: Vetëvendosje nuk e përkrah ndryshimin e këtij ligji në këtë formë

“Nuk është që nuk është përkrahur, mirëpo mendojmë që nuk mund të zgjidhet kjo çështje në këtë formë, por kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe të skemave sociale, sepse Kosova nuk ka sistem pensional. Megjithatë, kjo patjetër që duhet të zgjidhet, por ashtu siç duhet nga qeveria aktuale e cila tashmë është duke bërë reformën pensionale. Kjo është arsyeje që ne nuk e përkrahim vetëm në këtë formë që është paraqitur dhe konsiderojmë si jo të sinqertë”, tha ajo.

Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu tha se propozimi nga GP i AAK-së është me vend, i cili sipas tij eliminon një pabarazi dhe një diskriminim të madh që ka ndodhur në vitet e fundit.

Haxhiu: Është momenti i fundit të merr fund kjo pabarazi

“Duke u rritur dhe ndërtuar shteti ynë, duke pasur edhe financa stabile është menduar edhe për pensionistët kontribut pagues. Sot është një momentum ku këtë pabarazi mundemi me ndryshuar”, tha ai.

Deputeti nga LDK-ja Armend Muja tha se nenet e ligjit aktual janë diskriminuese dhe ofenduese.

Zemaj: Nenet janë diskriminuese

“Të punësuarit e viteve të ’90-ta që janë larguar dhunshëm ose që nuk janë bërë pjesë e masave të dhunshme nuk mund të gëzojnë një të drejtë e cila po iu mohohet në mënyrë jo demokratike në shtetin e tyre për të cilin ata kanë punuar”, tha ai.

Në fund ka reaguar, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.

Kusari-Lila: Kthehuni në referencë ku kanë qenë subjektet e juaja nëse e kanë pasur si prioritet

“U theksua këtu disa herë që po shpërblehen ata që kanë punuar me sistemin apo me regjimin okupues serb, ndërsa sanksionohen ata të tjerët. Po bre, por deri sot ka ndodhë e njëjta. Kthehuni në referencë gjithmonë ku kanë qenë subjektet e juaja nëse e kanë pasur si prioritet”, tha ajo.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme dhe bëri të ditur se e njëjta do të vazhdojë javën e ardhshme.

Konjufca: 60 deputetë kemi mbetur veç, shihemi javën e ardhshme

“60 deputetë kemi mbetur veç, shihemi javën e ardhshme”, tha ai. 

Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës

Seanca e sotme parlamentare është ndërprerë për shkak të kuorumit.

Ndërsa po votohej për shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, u konstatua se nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve.

“Shihemi javën e ardhshme”, tha kryetari i kuvendit Glauk Konjufca.

Hoti kërkon që të kthehet mbrapa ligji i agjencive ekzekutive, kjo është arsyeja

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar që të kthehet mbrapsht Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Ai ka thënë se të gjitha agjencitë ekzekutive dhe nuk mund të futen në një pako.

Hoti ka kërkuar që të kthehet mbrapa ky Projektligj.

“Po e kalojmë këtë ligj pa debat të mjaftueshëm dhe shterrues. Përmes këtij po i fusim të gjitha agjencitë në një pako, agjencitë ekzekutive nuk janë të njëjta. Ftoj Qeverinë që ta ketë parasysh këtë. Qasja më e mirë do të ishte që ky ligj të kthehet mbrapa”, ka thënë Hoti në seancën e Kuvendit.

​S’ka kuorum për shuarjen e dy agjencive ekzekutive

Në vazhdimin e seancës parlamentare nuk pati kuorum për votimin Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Arsyetimin e këtij projektligji e bëri ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku theksoi se me këtë projektligj parashihet të shuhen dy agjenci, Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe siguri Bërthamore dhe Agjencia për Efiçiencë të Energjisë.

Ministri Sveçla kërkoi nga deputetët që reformimin e administratës ta konsiderojnë si prioritet shtetëror.

Seveçla: Me këtë projektligj shuhen dy agjenci

“Për mes kësaj vale të dytë të racionalizimit pritet të racionalizohen dy agjenci në kuadër të degës së ekzekutivit përkatësisht Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe siguri Bërthamore, aktualisht pjesë përbërëse e Zyrës së Kryeministrit dhe Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë aktualisht pjesë përbrëse e Ministrisë së Ekonomisë. Kështu Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe siguri Bërthamore propozohet të bartet nga Zyra e Kryeministrit në ministrinë përgjegjëse për Mjedis… Sa i përket Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë, ajo propozhet po ashtu të shuhet dhe kompetencat e deritanishme të barten në strukturë organizative brenda ministrisë përgjegjëse për energji”, tha ai.

Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala ka kritikuar ekzekutivin për sa i përket shuarjes së këtyre dy agjencive.

Ai tha se Qeveria po bën veprime të gabuara.

Shala: Qeveria po bën veprime të gabuara

“Ju sot me ligj po dëshironi ta riktheni përsëri atje ku ka qenë, por ta dini se po bëni një veprim retroaktiv, kthim prapa në pikën zero. Kështu dëshiroj të keni një analizë të mirëfilltë për rolin dhe funksionin që ka me pasur kjo Agjenci. Pra, mendoni që po e ktheni atje ku ka qenë dhe në pikën fillestare. Ndërsa u kisha dhënë si rekomandim miqësor ta analizoni edhe një herë qëndrimin sa i përket Agjencisë për Efiçiencë”, theksoi ai.

Deputeti nga LDK-ja Avdullah Hoti tha se përmes këtij ligji po futen të gjitha agjencitë e ndryshme në një pako.

Madje, Hoti kërkoi që Agjencia e Statistikave të Kosovës duhet të jetë sa më e pavarur.

Hoti: Disa agjenci kanë nevojë të kenë pavarësi profesionale

“Është e drejtë që të insistohet në vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive, por këto agjenci nuk janë të njëjta. Sepse disa agjenci kanë nevojë t’ju rritet pavarësia funksionale. Kështu Agjencia e Statistikave duhet të largohet sa më shumë prej Qeverisë dhe puna e tyre të jetë profesionale në prodhimin e statistikave të paanshme të raporteve”, tha Hoti.

​Nuk kalon rezoluta e PDK-së për ndërprerje të grevës

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja lidhur me grevën e përgjithshme në arsim dhe administratë publike nuk mori mbështetjen e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdimin e punimeve të seancës parlamentare në të cilën fillimisht në rend dite ishte votimi i kësaj rezolute lidhur me grevat, vetëm 22 deputetë votuan për, 39 kundër dhe 6 abstenuan.

Pas debatit parlamentar për grevat që u mbajt dje dhe në javën e kaluar, pati disa pika në rezolutën e propozuar nga PDK-ja. Në pikën e parë të kësaj rezolute i kërkohet Qeverisë që në afat prej 48 orësh nga miratimi i saj në Kuvend të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.

Si pikë e dytë i kërkohet Qeverisë po ashtu që brenda 5 ditësh nga miratimi rezolutës të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së në Grupin Punues për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij dhe të marr në konsideratë propozimet e tyre.

Dhe në pikën e tretë të kësaj rezolute që e lexoi dje në seancë parlamentare shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i kërkohet Qeverisë të adresojë masat për kërkesat tjera të sindikatave.

Përveç kësaj rezolute, në rend të ditës janë edhe disa Projektligje të mbetura nga seancat e kaluara, një ndër to edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. 

Sveçla: Reformimi i administratës publike, prioritet shtetëror

Kuvendi po bën shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, të cilën po e prezanton Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij transferimi i zyrtarëve publik nga agjencionet bëhet duke u bazuar në legjislacionin në fuqi. 

"Ju lus deputetë që reformimin e administratës publike ta konsideroni si prioritet shtetëror", tha ai.

Nuk kalon rezoluta e PDK-së, për grevat në vend

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja rreth grevave në vend, nuk ka marrë votat e deputetëve. Nga 67 deputetë të pranishëm, për ka qenë 22 deputetë, kundër 39 dhe abstenim 6 vota.

Tani Kuvendi po bën shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, të cilën po e prezanton Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. 

---------------------------

Kuvendi i Kosovës sot do t`i vazhdojë punimet e seancës në të cilën do të jetë në rend dite edhe rezoluta e propozuar nga PDK-ja rreth grevave në vend.

Kjo rezolutë ka disa pika. Në pikën e parë të kësaj rezolute i kërkohet Qeverisë që në afat prej 48 orësh nga miratimi i saj në Kuvend të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e Grevës.

Si pikë e dytë i kërkohet Qeverisë që brenda 5 ditësh nga miratimi rezolutës të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së në Grupin Punues për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij dhe të marr në konsideratë propozimet e tyre.

Në pikën e tretë të kësaj rezolute që e lexoi shefi i deputetëve të PDK-së i kërkohet Qeverisë të adresojë masat për kërkesat tjera të sindikatave.

Pas votimit të rezolutës seanca fillon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 15 shtator 2022.

Do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë dhe shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Pas këtyre pikave seanca do të vazhdojë me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 4 gusht 2022.

Në rend ditë është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Republikës së    Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat