​Kurti në Pejë njoftohet për mundësitë dhe ofertat e turizmit malor

Aktuale

​Kurti në Pejë njoftohet për mundësitë dhe ofertat e turizmit malor

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Para takimit me kryetarët e komunave, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vizituar sot Qendrën Informative të Turizmit dhe Kompleksin e Mullirit të Haxhi Zekës.

Në Qendrën Informative të Turizmit, kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare përfituese nga projektet e Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë - Mali i Zi, që është program në kuadër të MAPL-së. 

Po ashtu, takoi operatorët turistik të turizmit malor dhe përfaqësuesit e Zyrës së Turizmit në Komunën e Pejës. 

Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u bisedua për mundësitë dhe ofertat e turizmit malor në Pejë, ndikimin në zhvillimin e ekonomisë lokale, si dhe propozimet për mbështetjen institucionale në sektorin e turizmit.

Gjatë vizitës në Kompleksin e Mullirit të Haxhi Zekës, u theksua rëndësia e mbrojtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore. Kryeministri takoi Fatos Lajçin, drejtor ekzekutiv i Environmental Responsible Action Group (ERA Group), që e menaxhon këtë kompleks. 

Krahas detajeve për funksionimin e kompleksit dhe potencialit turistik të tij, Lajçi e njoftoi kryeministrin edhe për aktivitetet dhe angazhimin e ERA Group në mbrojtje të faunës dhe florës në Bjeshkët e Nemuna.

Në këto dy takime u ritheksua gatishmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rritur angazhimin e përbashkët në shërbim të produkteve të reja turistike, ku do të përfshiheshin asetet më të rëndësishme turistike të vendit tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat