Arben Vitia ka fituar edhe një mandat tjetër në krye të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Ish-ministri i Shëndetësisë është zgjedhur me shumicë të votave udhëheqës i Qendrës së LVV-së në kryeqytet.
Në një deklarim në rrjetin social Facebook, Vitia ka thënë se Qendra e LVV-së në Prishtinë ka përpara “sfida dhe mundësi”.
“Duke ju falenderuar për kontributin e dhënë, ndihmën e paçmuar në çdo hap dhe për besimin që më dhatë në drejtimin e Qendrës së Prishtinës, ju ftoj që të përpiqemi së bashku, për më mirë, për më shumë”, ka thënë ai.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar anëtarë e anëtare,
Të dashur aktivistë e aktiviste,
Falenderime dhe suksese në angazhimin e përbashkët!
Qendra e Prishtinës përfundoi dje procesin zgjedhor të nisur në mars 2022 me zgjedhjet për nivelin e dytë organizativ.
Falë angazhimit dhe punës së shumë prej jush procesi zgjedhor i zhvilluar me demokraci të drejtëpërdrejtë u përmbyll me sukses.
Para nesh i kemi sfidat dhe mundësitë. Së bashku do t’i jetësojmë si aspiratë progresiste, si demokraci, si vlera socialdemokrate dhe si organizim gjithpërfshirës shoqëror.
Duke ju falenderuar për kontributin e dhënë, ndihmën e paçmuar në çdo hap dhe për besimin që më dhatë në drejtimin e Qendrës së Prishtinës, ju ftoj që të përpiqemi së bashku, për më mirë, për më shumë.