Në pritje të raportit të Komisionit Europian për vizat, ky kryediplomat ndërkombëtar vjen sot në Kosovë

Aktuale

Në pritje të raportit të Komisionit Europian për vizat, ky kryediplomat ndërkombëtar vjen sot në Kosovë

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 07:33
Jan Lipavský

Presidenca çeke e BE-së do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë. Këtë e ka konfirmuar ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili sot vjen në Prishtinë. Në orën 11:00, kryediplomati çek do të takohet me zëvendësministrin e Kosovës, Besnik Bislimin

Pas takimit, ata do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Lipavský më pas do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Europian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës për heqjen e vizave. Një zyrtar i Komisionit Evropian i tha medias se janë duke përpiluar raportin për liberalizimin e vizave me disa përditësime teknike i cili do të prezantohet për diskutim në Këshillin e BE-së. 

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Europën që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet që prej disa vitesh. ‘Zbrapsja’ thuhet se vjen nga Franca, por edhe një pjesë e vogël e vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Sllovakinë.

“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për ta shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, citohet të ketë thënë Lipavský para dy ditësh.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Europian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga shtetet anëtare gjatë vjeshtës”, ka shpjeguar ministri çek.

Për ta miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare që përfaqësojnë 65% të qytetarëve të BE-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat