Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili u kthye sërish në foltore, deklaroi se sa herë flet në seancë plenare po pengohet dhe fyhet nga ministrat. Haradinaj i cili iu referua kryeministrit “good gay”, tha se mësimdhënësit të cilët po i sulmon vet ai, do t’ ia tregojnë qefin. Ndërkaq, ministri i Financave tregoi se çfarë i tha Haradinajt, ndërkohë që ai e liroi foltoren.
Ministri Murati ka reaguar pas deklarimit të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se Albin Kurti me kokëfortësinë e tij po tenton të tregojë se është i panënshtruar.
Murati: Nëse ky ka qenë synimi është me të vërtetë për keqardhje
“A po i bie kjo implicit që synimi juaj ka qenë ta nënshtroni qeverinë me këtë. Sepse goxha të zhgënjyer po dukeni nga rezultati. Nëse ky ka qenë synimi është me të vërtetë për keqardhje sepse janë humbur kaq shumë orë dhe kaq shumë ditë mësimi për gjithë nxënësit dhe ka humbur sistemi arsimor në përgjithësi. Kurse ju e shikoni se a po nënshtrohet qeveria. Pyetja ime është: cili është mekanizimi i radhës apo hallka e radhës shtetërore të cilin ju do ta keqpërdorni në mënyrë që ta mundësoni ose të tentoni ta gjunjëzoni qeverinë. Vetëm do i shkaktoni dëm shtetit, sepse qeveria vazhdon punën”, ka deklaruar Murati.
Ai iu përgjigj edhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e ndërpreu fjalimin e tij për shkak se u pengua nga Murati.
Murati: Pyetja ime ishte sa janë rritur pagat në vitin 2018
“Pyetja ime ishte sa janë rritur pagat në vitin 2018? Katër për qind?”, ka shtuar Murati.
Më pas u rikthye në foltore, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili i tha kryeparlamentarit, Glauk Konjufca se herë pas herë po pengohet gjatë fjalimeve të tij. Haradinaj dëgjohet duke i thënë Konjufcës se nuk ka zgjidhje tjetër, përveç se të veprojë njëjtë si ministrat.
Konjufca: Të shpresojmë të mos vijmë deri aty zotëri Haradinaj
“Të shpresojmë të mos vijmë deri aty zotëri Haradinaj”, deklaroi Konjufca.
Kreu i AAK-së vazhdoi fjalimin e tij për grevat, ku i tha kryeministrit se mësuesit do i ‘tregojnë qefin kur të vjen vakti’.
Haradinaj: Mësuesit ta tregojnë qefin kur të vjen vakti
“Po ju tregoj që sa herë flas prej kësaj foltore, nga prapa pengohem. Në mënyra të ndryshme me një fjalor jo aq njerëzor. Nuk e dëgjon publiku, por ai që flet e dëgjon. Ka edhe tjerë nuk po përmendi emra sot, nëse kjo praktikë vazhdon më duhet me u kthy edhe me ua kthy edhe unë në atë mënyrë që e marr. Dhe ju paralajmëroj që nuk ka rrugë tjetër, se nuk të len me fol. Ky good gay ynë është i keqtrajtuar, u rrit duke urrejt. Prej që është bërë regjim është kthyer duke i urrejt ata që e kanë sjellur deri këtu ku është, se si ka mbetur kush me urrejt se tash është regjim ky vet. Kush janë armiqtë e brendshëm, sindikatat, mësuesit ata duhet me i urrejt, ata duhet me i mund me i nënshtru ky. Nuk je duke nënshtruar PAN-in, je duke i nënshtruar mësuesit. Ta tregojnë qefin kur të vjen vakti”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryeministri Albin Kurti iu përgjigj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se mësimdhënësit do t’ia tregojnë vendin këtij kabineti qeveritar “kur të vjen vakti”.
Kurti tha se kjo iu duk e çuditshme.
“Unë nuk flas për kurrfarë armiq të brendshëm. Këto nuk janë as shprehje, as mënyra të mia, por ju posa e dëgjuar deputetin Haradinaj kur tha ‘mësuesit ta tregojnë qefin kur të vjen vakti’. M’u duk shumë e çuditshme që Z. Haradinaj flet në emër të mësuesve”, tha Kurti.
Ndërsa greva e mësimdhënësve po vazhdon, kryeministri beson se prapa saj qëndron opozita.