Kryeministri i Shqipërisë nuk po akuzohet më vetëm nga mediat apo politikanët opozitarë në Shqipëri dhe të tjerë për mbështetje të Vuçiqit dhe politikave të Serbisë apo serbomëdha.
Edi Rama po akuzohet se po e mban anën e Serbisë edhe nga ekspertë ndërkombëtar, ndërsa indirekt edhe nga ekspertët shqiptarë.
Turpi, që se mbulon Ramën
Kështu në një intervistë dhënë për mediat në Maqedoni, eksperti amerikan Edward Joseph, thotë se Rama hapur, po e mbron Serbinë nga presioni perëndimor, Uashingtoni dhe Brukseli, që ajo t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Madje eksperti amerikan shkon edhe më larg duke e quajtur turp, mbrojtjen e Serbisë për politikën proruse.
“... trekëndëshi Tiranë-Beograd-Shkup sjell probleme, sepse lidhja mes Tiranës dhe Beogradit është e pashëndetshme, sepse Rama i thotë BE-së dhe SHBA-së që të ndalojë presionin drejt Beogradit, për të vendosur sanksione drejt Rusisë. Ky është një turp dhe ai po mbron hapur Vuçiqin për politikën e tij pro-ruse”, ka deklaruar Edward Joseph.
Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Kosova, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektor në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, në një shkrim analitik për qasjen e Serbisë ndaj Rusisë dhe Kosovës, e shfaqur nga Aleksandër Vuçiqi në OKB, e bën indirekt fajtor Edi Ramën, për mbështetjen që ia bën presidentit të Serbisë. Në fakt profesori Hasani, nuk e zë në gojë qëndrimin e Ramës ndaj Vuçiqit.
Por, shpjegimi dhe interpretimi, që ia bën Hasani qëndrimeve të Vuçiqit, ndaj Rusisë dhe Kosovës, e qartësojnë, dhe argumentojnë në vetvete, rolin e gabueshëm të Edi Ramës, dhe me këtë të Qeverisë së Shqipërisë.
Sipas Hasanit, në OKB Vuçiqi, deklaroi qartazi, se defakto është në përkrahje të pushtimit nga Rusia të Ukrainës, sikurse edhe e përafron këtë edhe marrëveshja Serbi-Rusi e lidhur në Nju Jork, në kulmin e sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.
Një fakt, konkludim tjetër, Hasani, e jep se Vuçiqi përforcoi idenë ruse, se ‘shkëputja e Kosovës dhe pavarësimi i saj nuk dallojnë nga shkëputjet e sponsorizuara ruse në territoret që definohen si fqinjësi e afërt’. Pra, këtu e ka fjalën për katër rajonet e pushtuara të Ukrainës, ku Putini organizoi edhe referendumet farsë, për bashkim me Rusinë, të zhvilluar në kushte pushtimi dhe dhune të egër, e shoqëruar me krime të rënda.
Një faktor të tretë, që është thënë dhe e afirmon Hasani, është se “Serbia, paraqet aktorin e vetëm në rajon që mund ta mbajë Rusinë dhe Kinën në Ballkan!”
Pra, këto janë të paktën edhe tri argumente të tjera, të qëndrimeve të Serbisë, që e dëmtojnë pozitën e Kosovës, para bashkësisë ndërkombëtare dhe njëkohësisht në bisedime.
Por, si kryetezë e analizës së Hasanit, është se Serbia, asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën, duke pritur ndryshime gjeostrategjike, që një ditë të mund të kthehet në Kosovë.
Veprimtari e rrezikshme diplomatike e Edi Ramës
Pra, derisa Serbia dhe Vuçiqi, e kanë projekt të qartë mosnjohjen e shtetit të Kosovës, gjithë ajo që bën Rama, dhe premtimet e rralla, se Shqipëria është në mbrojtje të Kosovës në rast konflikti, janë vetëm farsë.
Prandaj, mund të konsiderohet e sigurt teza se Rama po e favorizon Serbinë, në raport me shtetësinë e Kosovës, duke i kryer shërbime të mëdha diplomacisë serbe dhe shtetit të tyre, të ngritur mbi tokat shqiptare dhe në masë të madhe edhe mbi gjakun shqiptarë, të asimiluar, nga politikat gjenocidale e të etnocidit, mbi 150 vjeçar.
Sikur këto të ishin pohime dhe mendime të pambrojtshme, Edi Rama është dashur, që të reagonte në OKB, ose të paktën para gazetarëve, për ta demistifikuar përpjekjen e Serbisë, për të lidhur arbitrarisht fakte dhe situata, në dëm të Kosovës apo çështjes shqiptare.
Por, Rama nuk është i interesuar ta bëjë këtë dhe asnjëherë nuk do ta bëjë, pasi ka disa vite që ai është në mbrojtje të hapur të vullnetit serb, dhe projekteve të ortodoksizmit, e që të gjitha në Ballkan, konvergjojnë në dëmtimin substancial të interesave strategjike e jetike të shqiptarëve.
Andaj, shqiptarët në Shqipëri, politikanë e intelektualë, gazetarë e media, duhet që ta gjykojnë veprimtarinë e rrezikshme diplomatike të Edi Ramës, kryesisht në kurriz të Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarëve. Shqipëria, ka obligime kushtetuese ndaj shqiptarëve kudo ndodhen ata!