Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se janë mbajtur konsultimet politike mes Ministrive të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.
Nën drejtimin e Zëvendësministrit Kreshnik Ahmeti dhe Drejtorit të Drejtorisë për Evropën Kontinentale Frederic Mondoloni, sot në Paris, u mbajtën konsultimet politike mes Ministrive të Jashtme të të dyja shteteve.
Në konsultimet politike u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, arritja e marrëveshjeve të reja dhe në veçanti bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.
Përgjatë diskutimeve, Ahmeti theksoi rëndësinë e procedimit të aplikimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rëndësinë që ka kjo për qytetarët e Kosovës.
Tema të tjera në këtë takim ishin edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, bashkëpunimi rajonal dhe situata e krijuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse mbi Ukrainën.
Ahmeti dhe Mondoloni u pajtuan që t'i vazhdojnë konsultimet e rregullta politike mes Ministrive të Jashtme.