Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pasi nga qeveria e Kosovës konfirmuan se edhe në muajin shtator nuk do të ekzekutohen pagat për grevistët.
Miftaraj ka thënë se është në kundërshtim me ligjin që të mos ekzekutohen pagat, madje sipas tij secili grevist që paraqet padi në gjykatë do kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore.
“Mos ekzekutimi i pagave për grevistet është ne kundërshtim me ligj. Është persekutim ndaj grevisteve. Përndryshe, secili grevist qe paraqet Padi ne gjykate, përveç pagës, pastaj do te kompenzohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore”, ka thënë Miftaraj.
Ndërsa ai ka thënë se me këtë interpretim të ligjit të qeverisë, shteti mund të humbë për një muaj nga 1500 euro për secilin grevist që ushtron padi.
“Me fjale tjera, nga një page qe mund te jete 480 Euro për një muaj, shteti do te paguaj dikund 1500 Euro. Ne fund faturën e paguan taksapaguesi. P.S. Leximi i ligjit dhe interpretimi i ligjit dallon”, përfundon Miftaraj.
Kujtojmë se sot pas nisjes së mësimit sërish është tensionuar situata pasi qeveria konfirmoi se nuk do të ketë paga për grevistët as për muajin shtator.