Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se qeveria është duke i dënuar dhe disiplinuar mësimdhënësit, pasi sipas saj, njëherë i ka disiplinuar nxënësit me grevë.
Lushaku-Sadriu deklaroi kështu pas vendimit të ekzekutivit për mospagesën për muajin shtator të mësimdhënësve që ishin pjesë e grevës.
“Disiplinim në vend të drejtës për grevë, për të ju shërbyer edhe si shembull të tjerëve. A është ky drejtimi që ka marrë shteti ynë, duke disiplinuar qytetarët dhe punëtorët publik?!”.
“Në vend të talljes me mësimdhënësit duhet të mendohet për dëmin dhe frikën që i është shkaktuar nxënësve dhe prindërve, si asnjëherë në historinë e arsimit të Kosovës”,ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka theksuar se kjo çështje krijon një krizë shoqërore, duke shtuar se është më e dëmshme se krizat tjera që po përballet Kosova.
“E gjithë kjo në kohën kur qeveria i mbanë paratë larg nga investimi dhe qarkullimi në ekonominë e vendit në kohë krize. Si është e mundur që ‘Qeveria me rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë’- siç thonë- të ndëshkojë shtyllën e arsimit, mësimdhënësit?! Do të thotë rritja ekonomike, nuk nënkupton rritje mbështetjeje për arsimin?!. Përfundimisht, ndëshkimi i mësimdhënësve me ndalje page krijon një krizë shoqërore, e cila është pakrahasimisht më e dëmshme se krizat tjera që po kalojmë”, ka pohuar Luashku-Sadriu me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.