Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takimin lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari, në përmbyllje të mandatit të tij në Kosovë.
Kurti me këtë rast falënderoi Kajarin për angazhimin dhe përkushtimin e tij në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Kryeministri vlerësoi lart bashkëpunimin gjatë kësaj kohe, veçanërisht në uljen e tensioneve në veri të vendit tonë.
“Përvoja dhe lidershipi juaj i madh luajti një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e situatës dhe ruajtjen e kohezionit në KFOR, pavarësisht sfidave”, tha Kurti.
Ai ritheksoi se Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Ndërsa gjeneral major Kajari e falënderoi kryeministrin Kurti për diskutimin e hapur dhe gatishmërinë e dëshmuar për bashkëpunim. Po ashtu, vlerësoi bashkëpunimin me institucionet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.