Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas videos së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën ajo sulmon ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-pushtetarët tjerë.
Klinaku e ka quajtur ligësi të madhe akuzat ndaj njeriut që sipas tij, në Hagë po akuzohet si ndërmarrje e përbashkët kriminale e UÇK-së, ndërsa në Kosovë si shkatërrues shteti, përcjell Bota sot.
“Në Hagë i akuzojnë si ndërmarrje e përbashkët kriminale e UÇK-së, ndërsa në Kosovë si shkatërrues shteti!
Të akuzohet njeriu në kohën kur nuk mund të mbrohet, është ligësi e madhe dhe shërbim ndaj së keqes”, ka shkruar Klinaku në një postim në Facebook.
Vetëvendosje ka publikuar dje një video, me të cilën i ka quajtur ish-partitë që kishin qeverisur dhe sindikatat si “shkatërrues të shtetit”.
Në videon e publikuar thuhet se përgjatë 20 viteve partitë kishin një qëllim të përbashkët dhe Kosovën e shihnin si “tender, ryshfet, haraç dhe korrupsion”./Botasot