Kompensim të orëve të humbura do të ketë.
Kështu tha për median vendore zëvendëministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Dukagjin Pupovci.
Pupovci tha se MASHT-i është duke punuar me intensitet për kalendarin e ri, ku përfshihet edhe kompensimi i orëve të humbura të mësimit.
“Është duke u punuar me intensitet për kalendarin e ri shkollor, i cili përfshinë në vete edhe kompensimin e orëve të humbura. Brenda pak ditësh do të jemi në gjendje të japim më shumë hollësi” – tha Pupovci.
Ndërkaq Këshilli i Prindërve të Kosovës, nuk pajtohet që kompensimi i orëve të bëhet gjatë vikendit.
Jeton Demi, tha për Klankosova.tv se do ta shohin kalendarin e ri shkollor.
“Ne kemi deklaruar që fundjavat nuk duhet të jenë opsion i zëvendësimit të orëve. Do ta shohim kalendarin. Vikendeve assesi nuk jemi dakord” – tha Demi.
Të hënën ka nisur procesi mësimor pas pesë javësh për shkak të grevës.
Përgjatë kësaj periudhe janë humbur 22 ditë mësimi.