Hekuran Murati u bë protagonist në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Mungesa e tij, në shqyrtimin e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për vitin 2021, nervozoi deputetët opozitarë.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se përkundër se ministri Murati ka konfirmuar ardhjen, në mbledhje nuk ishte prezent.
“Sot një njoftim e kemi parë në media se ministri Murati është në Shqipëri, përkatësisht në portin e Durrësit”, tha ajo.
Mungesa e shefit të kuletës së shtetit ia ka shtuar ca dyshime se mund të jetë e planifikuar.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se është e pakuptimtë që të shqyrtohet raporti pa prezencën e ministrit Murati, teksa shtoi se në raport ka të gjetura për t‘u dërguar në prokurori.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe ndaljen e pagave për grevistët.
Deputetja e VV-së, Mirlinda Sadiku ka arsyetuar mungesën e Muratit. Mbledhjen e Komisionit e mbylli kryetarja Bajrami. Megjithatë vazhdimin e mbledhjes e vazhdoi nënkryetarja Arta Bajraliu e VV-së.